Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur që t’i heqë autorizimin për transmetime platformës televizive TIBO e autorizuar për përsëritjen e shërbimit të programit audioviziv të të tretëve mbështetur në rrjetet IP OTT.
Vendimi është marrë këtë të hënë nga shtatë anëtarët e bordit drejtues të AMA-s ndërsa disa ditë më parë ishte lënë në fuqi penalizimi me gjobë për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të ligjit.
Kundër platformës Tibo kanë qenë 10 ankesa kryesisht për shkelje të te drejtave të transmetimit të eventeve sportive. Pas çdo ankese inspektorët e AMA-s kanë bërë verifikime në terren dhe kanë vërtetuar se Tibo ka vjedhur programet ekskluzive. Për të gjitha rastet ndaj Tibos janë vendosur gjoba të cilat kanë qëndruar në fuqi edhe pas ankimimeve.
Sipas ligjit nëse një operator ka tre gjoba për të njëjtën shkelje atëherë AMA i heq të drejtën e transmetimit.
Ndaj Tibos ka katër penalizime të njëjta që ka çuar sot në heqjen e licensës kësaj platforme e cila prej një kohe të gjatë ka vjedhur programet e prodhuara nga operatorët e tjerë televizive edhe ndaj Top Medias si dhe ka transmetuar pa asnjë të drejtë evente të ndryshme që ishin me të drejta ekskluzive nga operatorë të tjerë televizive.
“Ditën e hënë, më 11 dhjetor 2023, në mjediset e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) u zhvillua mbledhja e radhës së AMA-s, ku morën pjesë anëtarët e mëposhtëm: Armela Krasniqi Kryetar Desada Metaj Zëvendëskryetar Aurela Bicja Anëtar Besian Zogaj Anëtar Gjergji Hamiti Anëtar Jetmir Halilaj Anëtar Joana Allushi Anëtar AMA, pas shqyrtimit të çështjeve të rendit të ditës, vendosi:Heqjen e autorizimit të shoqërisë “Tibo” sh.p.k., autorizuar për përsëritjen e shërbimit të programit audioviziv të të tretëve mbështetur në rrjet IP (OTT) (Vendim nr.112, datë 11.12.2023). 3. Miratimin e rregullores ”Mbi kriteret dhe procedurat për shqyrtimin, miratimin dhe zbatimin e projekteve” (Vendim nr.113, datë 11.12.2023)“, sipas njoftimit të AMA-s.
Top Channel