Kompania Tibo nis me vjedhje sezonin e ri sportiv duke transmetuar në mënyrë pirate ndeshjet eksluzive të Digitalb.

Ky operator, pa asnjë lloj të drejtw dhe në shkelje të plotë të ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare  transmetoi këtë fundjavë eventet sportive të blera për dhjetëra miliona euro nga Digitalb.

Kampionatet elitare të Europës, ndeshjet e Premier League, Bundesligës, Kampionatit Francez, Kupes se Italise, janë piratuar nga Tibo sic dëshmojnë këto pamje.

Digitalb, blen  të drejtat e transmetimit të këtyre kampionateve me shuma marramendëse, duke paguar ekskluzivitetin dhjetëra miliona euro, në mënyrë që t’u garantojë abonentëve të tij buqetën më të pasur dhe elitare të eventeve sportive, por tani i duhet të përballet me një vjedhje të pastër dhe të pajustifikueshme të programeve për të cilat disponon kontrata. Ndërkohë autoritetet që duhet të shërbejnë si rregullator i tregut, mbyllin sytë  duke legjitimuar indirekt vjedhjen.

Prej më shumë se një viti, Digitalb, i eshte drejtuar me ankesa dhe fakte Autoritetit të Mediave Audiovizive. Por AMA edhe pse para provave të pakundërshtueshme dhe përballë një shkeljeje të hapur dhe flagrante të ligjeve dhe rregullave  të cilat  pikërisht ky organ duhet t’i mbrojë, nuk ka marrë asnjë masë serioze, duke lejuar në këtë mënyrë piraterinë në vend nga ana e Tibo-s.

Digitalb-Supersport i vendosur të ndjekë të gjithë hapat ligjorë për të mos lejuar vazhdimin e një vjedhjeje të hapur, i bën thirrje AMA-s që në mënyrë urgjente të ushtrojë funksionin për të cilin është ngritur, duke ndërprerë piraterinë  e cila po i shkakton dëme të jashtëzakonshme financiare  Digitalb, platformës më të madhe televizive në vend.

TIBO duke vjedhur mashtron edhe konsumatorin, ndaj Digitalb i bën thirrje të gjithë teleshikuesve, të joshur nga premtime false, të mos bien pre e mashtrimeve që u ofrojnë programe të piratura, transmetimi i të cilave është i destinuar të ndërpritet. Keto evente sportive dhe te tjera mund të ndiqen rregullisht dhe pa frikën se një ditë nuk do t’i shihni më, vetëm në Platformen DIGITALB!

 

Top Channel