Ekspertët: Kuadri ligjor i Kosovës përputhet me standardet e KiE-së, por shqetësime rreth zbatimit

29/11/2023 22:39

Ekspertë të pavarur të Këshillit të Evropës thonë se legjislacioni i Kosovës u përshtatet standardeve të Këshillit të Evropës për sundimin e ligjit, por ata kërkojnë nga Kosova themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe mosdërgimin e njësive speciale të policisë për të kryer detyra të zakonshme në pjesën veriore të Kosovës.

Në një raport vlerësues, që vjen gjashtë muaj pasi Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës miratoi kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm, ekspertët kërkuan nga autoritetet e Kosovës “të braktisin kundërshtimin e tyre për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe” dhe të fillojnë negociatat për formimin e tij.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së fundi ka deklaruar se është i gatshëm të nënshkruajë projekt-statutin për krijimin e asociacionin, të ofruar nga të dërguarit perëndimorë më 21 tetor, si pjesë e marrëveshjes që u është ofruar Serbisë dhe Kosovës për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet tyre. Marrëveshja parashikon njohje të dokumenteve, simboleve dhe respektim reciprok to sovranitetit dhe tërësisë tokësore. Marrëveshja gjithashtu kërkon nga palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk përfshin detyrimin për njohje të ndërsjellë.

Raporti i ekspertëve, i bërë publik të hënën, është pjesë e analizave që do të vlerësohen nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës para se kërkesa e Kosovës për anëtarësim të hidhet në votim. Për t’u anëtarësuar Kosovës i duhet mbështetja e dy të tretave të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në prill të vitit 2022. Anëtarësimi i saj në këtë mekanizëm është përshfirë si pjesë e marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në shkurt dhe asaj në Ohër, në mars të kërij viti me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, raporton VOA.

Raporti identifikon tre sfida kryesore në sistemin e drejtësisë, në veçanti rreth funksionimit të gjykatave lokale, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës për shkak të tensioneve të shtuara, mosrespektimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe “prirjes shqetësuese për të përdorur në mënyrë të tepruar forcat speciale policore në pjesën veriore të Kosovës.” Ekspertët kërkojnë nga qeveria e Kosovës të “respektojë plotësisht pavarësinë e sistemit të drejtësisë” dhe “të kufizojë kritikat e pamerituara që po minojnë besimin” në të.

Në gjetjet e raportit, ekspertët, të cilat janë angazhuar nga asambleja e Këshillit të Evropës për të vlerësuar përputhshmërinë e kuadrit ligjor të Kosovës me standardet e Këshillit të Evropës, kërkojnë nga autoritetet të zbatojnë “pa vonesë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastrit të Deçanit”, duke iu referuar vendimit të vitit 2016 të kësaj gjykate që i njeh manastirit ortodoks serb pronësinë e një sipërfaqe prej 24 hektarësh tokë përreth tij. Qeveritë e ndryshme të Kosovës nuk e kanë zbatuar këtë vendim dhe ai është shndërruar në një kritikë të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, e themeluar në vitin 1949. Vitin e kaluar, pas sulmit rus ndaj Ukrainës, ky mekanizëm ka përjashtuar Rusinë nga radhët e veta.

Raporti i ekspertëve thekson nevojën për të vazhduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kryerjen e reformave në sistemin e drejtësisë, si dhe përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut për komunitetet pakicë në Kosovë, përfshirë shkollimin primar dhe sekondar për komunitetin rom, ashkali, egjiptian dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe përdorimin e gjuhëve amtare.

Javën e kaluar Këshilli i Evropës kritikoi rajonin që nuk ka arritur të nxjerrë para drejtësisë personat përgjegjës për krimet e luftës, duke vlerësuar se pajtimi mes shteteve të reja, që dolën nga shkatërrimi i Jugosllavisë, ende nuk është arritur. Në raportit e ekspertëve për Kosovën, ata kërkojnë nga autoritetet të miratojnë strategji për të nxitur dialogun ndëretnik dhe ndërtimin e besimit.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në maj të vitit 2022, pak kohë pas përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë për shkak të agresionit të saj ndaj Ukrainës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA