Gjykata e Panamasë shpall ‘anti-kushtetuese’ kontratën e minierës kanadeze pas protestave masive

28/11/2023 19:13

Gjykata e lartë e Panamasë vendosi sot se një kontratë që lejon operimin e një kompanie kanadeze në minierën më të madhe të bakrit në në Amerikën Latine, është anti-kushtetuese.

Zhvillimi vjen pas protestave mbarëkombëtare dhe bllokimeve të rrugëve që prej aprovimit nga Kongresi muajin që shkoi të rinovimit të kontratës për grupin kanadez First Quantum Minerals që i lejon operimin për 20 vjet, me opsion për shtim dhe dy dekada të tjera.

Sot gjykata e shpalli koncesionin e kontestuar anti-kushtetues pas lëvizjes së gjerë popullore që ka paralizuar ekonominë e vendit prej një muaji.

Prej vitit 2019, miniera gjigante e hapur ka prodhuar çdo vit 300,000 ton bakër që përfaqësojnë 75% të eksporteve të vendit, por vendasit dhe ambjentalistët thonë se ajo shkatërron korridorin biologjik që Amerikën qendrore me Meksikën, duke i shkëputur ato për nga flora e fauna, shkruan AFP.​

Kryetarja e gjykatës María Eugenia López, tha në njoftim se “unanimisht arritëm në vendimin për të shpallur anti-kushtetues ‘ligjin 406’, referuar kontratës mes shtetit të Panamasë dhe grupit kanadez të minierave First Quantum Minerals (FQM).

“Kjo do të thotë se ligji i përmendur përjashtohet nga sistemi rregullator i vendit tonë”, tha gjykatësja, duke dhënë vendimin pas katër ditë analize nga nëntë anëtarët e gjykatës më të lartë.

Protestat kundër konçesionit të dyshimtë minerar ishin më të mëdhatë në Panama që prej kohës së rënies së diktatorit Manuel Antonio Noriega në 1989, ndërsa bllokimet e rrugëve  shkaktuan më shumë se 1.7 miliardë dollarë humbje në bujqësi, turizëm e fusha të tjera.

Grupi kanadez argumenton se miniera krijon rreth 50,000 vende pune dhe kontribuon 5% të GDP-së të vendit.

FOTO GALERI
2/3
Zhvillimi vjen pas protestave mbarëkombëtare dhe bllokimeve të rrugëve që prej aprovimit nga Kongresi muajin që shkoi të rinovimit të kontratës për grupin kanadez First Quantum Minerals

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA