Zëdhënësi i Putin vihet në lojë kur thotë se e bija modele ‘jetonte mes varfërisë’ në Paris (fotot)

20/11/2023 18:03

Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin është vënë në lojë nga mediat perëndimore për deklarimet se bija e tij modele në rrjet, “jetonte në kushte spartane” dhe vështirësi ekonomike kur studionte në Paris.

25 vjeçarja Elizaveta Peskova, e cila zotëron një biznes organizimi eventesh dhe ka jetuar prej vitesh me të ëmën në Evropë, u rikthye në Moskë 5 vjet më parë pas diplomimit.

Por babai saj thotë se megjithse tani e bija bionde lëviz me avion privat dhe faqen në Instagram e ka të mbushur me poza në kostume të shtrenjta, nuk ka qenë kurrë një “mazhor” – siç quajnë zakonisht në Rusi fëmijët e më të privilegjuarve mes zyrtarëve qeveritarë apo biznesmenëve, shkruan rrjeti The Times.

Peskova ka jetuar në Paris me nënën e saj Ekaterina Solotsinskaya, 47 vjeçe, pas ndarjes së prindërve të tyre, ku kreu një shkollë biznesi.

“Vajza ime nuk ka qenë kurrë një fëmijë ‘mazhor’,” tha Peskov në një intervistë me rrjetin MGIMO. “Ajo ka pasur një jetë të komplikuar dhe një arsim të komplikuar”

Peskov shton se gjatë kohës që studionte në Francë, Elizaveta “jetonte me shumë pak para, në kushte minimale.

“Ajo është detyruar të kapërcejë shumë vështirësi, ka punuar shumë për të gjetur vetëveten por falë Zotit tani është stabilizuar, është bërë një grua profesionale”, tha zëdhënësi i presidentit.

“Kjo sepse kur je vërtet një ‘mazhor’ dhe nuk ke asnjë shqetësim, nuk ke asgjë cfare të aspirosh, ndërsa kur duhet të kapërcesh vetë problemet e përditshme është shumë më mirë”.

Opozitari rus Lyubov Sobol, refuzonte shpejt pretendimet e Peskov duke postuar imazhet e Elizaveta Peskova duke u rehatuar në një avion privat, teksa komentonte: “Këto quan kushte spartane gënjeshtari Peskov.”

Opozita ruse ka deklaruar gjithashtu se Peskova dhe nëna e saj kishin blerë një apartament në Paris për gati $2 milionë.

Peskova është gjithashtu zv. presidente e fondacionit të iniciativave franko-ruse, që raportohet se ka lidhje me oligarkët rusë.

SHBA ka sanksionuar vitin që shkoi Peskov dhe anëtarët e familjes së tij prej pushtimit të Ukrainës.

Në një postim të fundit në Instagram për 225,000 ndjekësit e saj Peskova mburrej se “kishte fituar shumë para” nga puna në projekte të ndryshme.

FOTO GALERI
3/7
“Vajza ime nuk ka qenë kurrë një fëmijë ‘mazhor’,” tha Peskov në një intervistë me rrjetin MGIMO.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA