Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 4 të mitur të akuzuar për vrasje në rrethana të tjera cilësuese.
Katër adoleshentët janë hetuar nën masën e sigurimit “arrest me burg” ndërsa akuzohet për vrasjen e Fatjon Bicit, 15 vjeç, ngjarje e ndodhur në Gramsh në maj të vitit 2023. Ngjarja e rëndë u shënua vetëm pak metra larg shkollës ku 4 adoleshentët i bënë pritë kushëririt të Fatjon Bicit me të cilin ishin konfliktuar më herët në rrjete sociale.
15-vjeçarët të pajisur me thika dhe doreza forcuese grushti sulmuan kushëririn e Fatjonit, ndërsa ky i fundit mbeti i vrarë me thikë teksa hyri për të shuar konfliktin.
Ngjarja u shënua në mes të ditës në lagjen “Sporti 2”, ku nxënësit e klasës së 9 sapo kishin mbaruar mësimin.
Ngjarja e rëndë tronditi mbarë opinionin publik i cili gjykoi se krimi mund të ishte parandaluar nëse familja, shkolla apo institucione të tjera do të kishin marrë masa ndaj adoleshentëve me sjellje problematike të cilët edhe në rrjete sociale ekspozoheshin me doreza forcuese grushti.
Sipas Kodit Penal një i mitur merr gjysmën e dënimit të parashikuar për atë vepër penale. Ç’ka do të thotë se sipas Kodit Penal për veprën penale Vrasje në rrethana të tjera cilësuese dënimi i parashikuar është 35 vite, një i mitur merr 17.5 vite burgim.
Por në këtë rast hyn në lojë Kodi i Drejtësisë Penale për të mitur sipas të cilit një i mitur nuk mund të dënohet më shumë se 12 vite burgim. Pra cilado të jetë vepra penale i mituri nuk merr më shumë se 12 vite burg.
Top Channel