Gjatë shekullit të 18-të, një burrë nga Yorkshire tërhoqi vëmendjen e kolegëve anglezë jo për idetë e tij, por për madhësinë e jashtëzakonshme të hundës.
Thomas Wadhouse, i njohur gjithashtu si Thomas Wedders, mburrej me hundën e tij me përmasa befasuese 19 centimetër, që i dha titullin e “hundës më të madhe në botë”.
Thomas Wedders, i lindur rreth vitit 1730, në Yorkshire të Anglisë, tërhoqi vëmendjen kudo ku shkonte, për shkak të pamjes së tij të veçantë. Sikurse duket nga botimet e asaj kohe, kjo veçori e ndihmoi atë të bëhej i famshëm.
Thuhet se Wedders merrte pjesë në një shfaqje të çuditshme dhe shpesh bëhej temë artikujsh në gazeta dhe revista. Madje, ai u bë pjesë e një libri të njohur të shekullit të 19-të, që eksploronte kushte të rralla dhe të veçanta mjekësore. Shkrimet për të ishin plot ironi.
Revista Strand, në 1896, vërejti me humor se nëse madhësia e hundëve do të ishte arsyeja pse një person duhet të ishte i rëndësishëm, Wedders do të kishte fituar të gjitha paratë në Rrugën Threadneedle dhe do të kishte pushtuar të gjithë Evropën. Mjekra e tij është shumë e dobët dhe vetulla e hollë, pasi natyra u fokusua t’i jepte një hundë të madhe, shkruante Strand.
Edhe pse fitoi famë në mesin e shekullit të 18-të, Wedders la pak gjurmë pas. Mungesa e të dhënave zyrtare për jetën e tij e bën të paqartë nëse vërtetë ndoqi një karrierë si interpretues cirku apo se si ai ndihej. I paqartë mbetet edhe fakti se përse Thomas Wadhouse ekspozoi veten kaq shumë për publikun.
Thomas Wadhouse vdiq në të 50-tat e tij rreth vitit 1780. Për të nuk ka fotografi, përveçse skulptura të fytyrës së tij me dyll, që janë ekspozuar në Ripley’s Believe It Or Not.
Disa studiues besojnë se anomalia e Wedders mund të ishte e lidhur me një sëmundje të paidentifikuar, që ndikoi gjithashtu në zhvillimin e tij gjatë viteve të tij të hershme. Të tjerë thonë se ai mund të ketë lindur nga marrëdhënie vëllazërore dhe kombinimi gjenetik mund të jetë përgjegjës për deformimin e fytyrës.
Top Channel