Tre studiues kanceri të të njëjtit laborator, diagnostikohen papritur me kancer në Kinë (fotot)

15/11/2023 21:30

Tre studiues të rinj që punonin në të njëjtin laborator onkologjie në Kinë janë diagnostikuar njëkohësisht me kancer, në ngjarjen që ka ndezur debate të ashpra dhe spekulime në media e rrjetet sociale.

Menjëherë u ngritën dyshime për tre doktorët e spitalit Sun Yat-Sen dy prej të cilëve kirurgë dhe një studiues i jashtëm, të cilët u diagnostikuan me kancer teksa punonin në laboratorin Shu Hua për kancerin e gjirit në qytetin e Guangzhou.

Lajmi u shpërnda fillimisht në rrjetet sociale me anë të mesazheve ku thuhej se pas diagnostikimit të të parit, ai/ajo ishte larguar nga grupi i kërkimit.

Shpejt komentet në rrjetin social kinez Weibo, hidhnin dyshime se ata mund ta kenë marrë sëmundjen gjatë punës në laborator.

Spitali Sun Yat-Sen konsiderohet nga më seriozët në Kinë për trajtimin e kancerit.

Por në një deklaratë më 8 nëntor ata konfirmonin se tre kërkuesit, gjinia e të cilëve nuk specifikohej, ishin diagnostikuar me kancer, respektivisht, kancer të pankreasit, sinovial sarkoma dhe kancer të gjirit.

Spitali shtonte se mjekët po trajtohet dhe po rekuperohen ndërsa siguronte se “zbatonte në mënyrë strikte protokollet e sigurisë, që prej krijimit në 2005.

Por avokati i ndjekur vendas Li Li, i cili ka audiencë të gjerë në rrjetin social Weibo hidhte dyshime mbi sinqeritetin e spitalit.

“Spitali tha se mirëpriste hetime por shpejt pas ngjarës ata shkatërruan laboratorin”, komentonte ai.

Dhe në të vërtetë pak pas deklaratës në rrjet u shpërndanë pamjet sesi laboratori po çmontohej gjatë natës së 8 nëntorit, duke shkaktuar zemërim të gjerë publik prej akuzave se po përpiqeshin të fshihnin provat e ngjarjes së rëndë.

Spitali konfirmonte se çmontimi i pjesshëm i laboratorit ishte programuar para skandalit të kancerit dhe shtonte se po çmontoheshin vetëm njësitë e ruajtjes e depozitimit.

Më 9 nëntor Shoqata kineze e Shkencës e Teknologjisë kërkoi hetime të plota për incidentin pasi çmontimi i laboratorit kishte ngritur dyshime për shkatërrim të provave.

Studime të mëparshem në Suedi e Izrael kanë treguar se studiuesit që trajtojnë vazhdimisht materiale në laboratorët e kancerit rrezikojnë të sëmuren, megjithë protokollet e shtuara të sigurisë shëndetësore.

Nuk ka ende nje shpjegim te konfirmuar per ngjarjen.

FOTO GALERI
2/3
Spitali konfirmonte se çmontimi i pjesshëm i laboratorit ishte programuar para skandalit të kancerit dhe shtonte se po çmontoheshin vetëm njësitë e ruajtjes e depozitimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA