U pengua të hyjë në Kryesi për mbledhjen e Grupit Parlamentar/ Spaho: Absurde! Të detyrojnë t’i drejtohesh formave radikale

13/11/2023 13:15

Parlamenti sot po diskuton paketën e buxhetit për vitin 2024 në komisionet parlamentare.

Diskutimet sot po bëhen në kushte të jashtëzakonshme dhe deputetët e ndarë nëpër zyra dhe ambiente të ndryshme janë futur në platformën “Zoom” dhe po mbajnë mbledhjet on line.

Një incident ndodhi me deputetin Edmond Spaho, i cili u pengua nga  Garda të hyjë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Gazment Bardhi thirri një mbledhje të Grupit Parlamentar të PD-së në Kryesi, por Spaho dhe deputetët e tjerë të opozitës, që janë përjashtuar nga Kuvendi, nuk u lejuan të hyjnë.

Në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve në Top Channel, Spaho e cilësoi absurd pengimin për të hyrë në Kryesinë e Kuvendit edhe për aktivitete partiake.

“E njëjta histori. Jeni të përjashtuar, nuk lejoheni të merrni pjesë në ambientet e Kuvendit. Krejtësisht absurde. Unë nuk po hyj në aktivitete të Kuvendit. As për aktivitete partiake nuk të lejojnë të hysh.

Na thonë vazhdimisht drejtohuni organeve kompetente. Po kujt t’i drejtohemi, Linditës apo asaj që përjashton deputetët. Këta të detyrojnë t’i drejtohesh formave radikale. Se kur i ke konsumuar të gjitha gjërat, çfarë do të bësh pastaj. S’ke zgjidhje tjetër. Kërkesat tona janë të arsyeshme, nuk po kërkojmë të na japin pushtetin, po kërkojmë Komisione Parlamentare, për të ushtruar funksionin tonë si opozitë dhe të kontrollojmë qeverinë. Po kërkojmë që reforma zgjedhore të zhvillohet me konsensus dhe njerëzit në komision t’i emërojmë ne”.

Agjenda e mbledhjes së grupit, nuk është arsye për të penguar deputetët të hyjnë në ambientet e Kuvendit, theksoi Spaho.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA