Pasuritë e sekuestruara/ Deputeti Gjoni: I përdorin ish-pronarët përmes skemave. Kreu i AAPK, Xhaja: Nuk më rezulton, të paluajtshmet nuk shiten prej 3 vitesh
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sa i përket pagave të gjyqtarëve.
Kësaj radhe ai iu referua një tjetër deklarate të një gjyqtari, i cili shprehej: “Për rritjen e pagave janë aq para sa GJKKO i konfiskon çdo vit krimit të organizuar”.
Në postimin e tij, ai shprehet se një gjyqtar nuk mund të flasë kurrë kështu, duke shtuar se kjo është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit.
Postimi i Ramës:
Jo, kurrë nuk mund të flasë një gjykatës kështu!
Historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat dhe kjo “i kemi mbledhur vetë” është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit.
Le ta imagjinojmë sikur të çohen doganierët e tatimorët, policët e inspektorët dhe të thonë duam paratë që i kemi mbledhur vetë në thesarin e shtetit nga taksat e nga gjobat!
Çfarë mbetet pastaj për mësuesit, mjekët, ushtarakët e plot e plot të tjerë që shërbejnë mijëra detyra të shtetit, për të cilat paguhen nga thesari?
Dhe sikur kjo rritje e kërkuar pa ligj të pranohet si fakt i kryer, i bie që krahasimisht me mësuesin, mjekun, ushtarakun, një gjyqtar fillestar të marrë 3.8 herë më shumë ose një pagë 280% më të lartë. Të tjerët më lart nuk i merrni dot as me mend se sa më shumë.
Top Channel