I mbijetoi Auschwitzit dhe jetoi 107 vjet, ndahet nga jeta i mbijetuari më i vjetër i Holokaustit në Izrael

14/09/2026 18:25

Yehuda Aharon Widawski, i konsideruar si i mbijetuari më i vjetër i Holokaustit në Izrael, është ndarë nga jeta në moshën 107-vjeçare.

Widawski, i lindur në Poloni në vitin 1919, vdiq të dielën, njoftuan mediat izraelite dhe Memoriali dhe Muzeu Auschwitz-Birkenau. Ai ishte ndër të mbijetuarit e kampit të përqendrimit Auschwitz, ndërsa pjesa më e madhe e familjes së tij u vra gjatë pushtimit nazist.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Widawski emigroi në Izrael në vitin 1950, ku ndërtoi jetën e tij të re.

Nga viti 1978, ai iu përkushtua restaurimit të varreve hebraike në Poloni. Sipas Memorialit dhe Muzeut Auschwitz-Birkenau, Widawski ndihmoi në identifikimin dhe shënimin e më shumë se 3,000 varreve hebraike.

Presidenti izraelit Isaac Herzog shprehu ngushëllimet e tij për familjen e Widawskit, duke e cilësuar jetën e tij si “një dëshmi e admirueshme për triumfin e jetës, kujtesës dhe një fillimi të ri”.

Nazistët vranë rreth 6 milionë hebrenj në Evropë gjatë Holokaustit.

Sipas të dhënave të publikuara nga një agjenci qeveritare izraelite në prill, rreth 109 mijë të mbijetuar të Holokaustit jetonin ende në Izrael.

Top Channel