Analisti Ilir Babaramo mendon se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për refugjatët nuk do të realizohet pasi nuk do të lejohet nga Brukseli.
I ftuar në “Top Story”, Babaramo tha se kryeministrja Meloni nuk ka votat e mjaftueshme për këtë marrëveshje. Megjithatë, gazetari tha se ndryshe nga marrëveshjet e tjera që ka qenë kategorikisht kundër, në këtë marrëveshje bëhet fjalë për fate njerëzore, aq më tepër që Shqipëria duhet t’i jetë mirënjohëse Italisë.
“Marrëveshja e marrjes së azilit politik, parashikon në një nga klauzolat e saj, marrëveshje, të cilën e ka nënshkruar edhe Italia, që azilkërkuesi duhet të jetë në territorin e hapësirës Shengen kur kërkon dhe pret azilin. Territori i Gjadrit nuk di të ndodhet në territor Shengen. Ndaj mendoj se kemi të bëjmë me një show propagandistik. Kemi të bëjmë vetëm me një show dhe Brukseli nuk do ta lejojë realizimin. Kryeministrja italiane Meloni nuk i ka votat për këtë marrëveshje. Unë besoj se mirënjohja është virtyti më i madh njerëzor dhe ne duhet t’i jemi mirënjohës Italisë, por ndërkohë nëse kam qenë kategorikisht kundër marrëveshjes për armët kimike apo të plehrave, në këtë rast mendohem shumë herë se kemi të bëjmë me fate njerëzore. Ne si shqiptarë e dimë çfarë është të rrezikosh në det për në jetë të mirë. Këta kanë çarë detin për të shkuar në luginën e lumit Po, jo për të shkuar në luginën e Drinit. Të gjendur në këtë situatë, për çfarë do të shërbejë. Nëse këtyre ju refuzohet azili, ku do të venë këta? Do rrjedhin si uji në shkretëtirë. Është vetëm një stacion, ata prape drejt Italisë do të shkojnë”-tha Babaramo në Top Story.
Me marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë, kampet e refugjatëve që do duan të hyjnë në Itali e më tej në Bashkimin Europian do të ndërtohen në zonën e Gjadrit në Lezhë. Do të jetë shteti italian që do kujdeset për shpenzimet, ushqimin dhe kushtet higjeno-sanitare dhe shërbimet shëndetësore në kamp. Çdo ndihmë nga Shqipëria do të bëhet kundrejt pagesës. Sigurinë në kamp do e ruajnë vetë italianët ndërsa policia shqiptare do angazhohet të ruajë sigurinë në perimetrin e jashtëm si dhe gjatë transportit të emigrantëve nga njëra zonë në tjetrën.
Top Channel