TikTok ka hedhur poshtë akuzat e qeverisë së Malajzisë për bllokimin e përmbajtjeve pro-palestineze.
Platforma e mediave sociale i konsideroi të pabaza pretendimet, që ndodhën fill pas nisjes së sulmeve mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor.
Malajzia me shumicë myslimane paralajmëroi një ditë më parë për veprime kundër firmave të mediave sociale TikTok dhe Meta, duke thënë se platformat e tyre ishin akuzuar për kufizimin e përmbajtjes që mbështeste palestinezët.
Meta u përgjigj duke thënë se akuza nuk kishte “asnjë të vërtetë” dhe se nuk po shtypte qëllimisht zërat në platformën e saj në Facebook.
“Pretendimi është i pabazuar. Udhëzimet tona të komunitetit zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha përmbajtjet në TikTok dhe ne jemi të përkushtuar të zbatojmë vazhdimisht politikat tona për të mbrojtur komunitetin tone”, thuhet në një e-mail që zëdhënësi i TikTok i ka dërguar Reuters.
Si Meta ashtu edhe TikTok e caktojnë Hamasin, lëvizjen islamike palestineze që qeveris Gazën, një organizatë të rrezikshme dhe ndalojnë përmbajtjen që janë pro tyre.
Anëtarët e Hamasit sulmuan komunitetet në Izraelin jugor më 7 tetor, duke lënë të paktën 1400 persona të vdekur. Ndërkohë në Gaza, si pasojë e sulmeve nga ushtria izraelite kanë humbur jetën më shumë se 7000 palestinezë, përfshirë mijëra fëmijë.
Që kur shpërtheu dhuna, të dyja firmat e mediave sociale kanë ndërmarrë hapa për të përmirësuar moderimin dhe për të hequr ose etiketuar pamjet grafike.
Meta njoftoi në mes të tetorit se ka hequr ose etiketuar rreth 800 mijë përmbajtje në hebraisht dhe arabisht në ditët pas nisjes së sulmeve.
Në mënyrë të ngjashme, TikTok raportoi këtë javë se ka hequr më shumë se 775 mijë video dhe 14 mijë transmetime të drejtpërdrejta që nga nisja bombardimeve.
Top Channel