Maratonomak për autizmin/ Ish futbollisti i Tiranës Gentian Muça, pjesë e maratonës

21/10/2023 12:22

Ditën e diel do të zhvillohet Maratona e Tiranës për të tretin vit radhazi.

Përveç itinerarit të plotë prej 42 km, do të ketë gjithashtu  edhe dy kategori të tjera, ajo e gjysmë maratonës 21 km dhe 10 km. Mes rreth 5000 të regjistruarve nga disa shtete të botës, do të jetë edhe ish-kapiteni, dhe sot trajneri i ekipit U21 të Tiranës, Gentian Muça.

Në shumë vite karrierë ka vrapuar për pasion apo edhe si profesionist, por në këtë edicion të maratonës, ai ka një kauzë të veçantë, do të zhvillojë një garë në formë thirrjeje, në ndihmë të fëmijëve autik dhe familjeve të tyre.

“Bashkë me disa shokë, me një grup shumë simpatik vrapuesish, që vrapojnë për qejf, kemi marrë një nisme për të vrapuar për një qendër e cila ofron shërbime falas për adoleshentët autik. Për këtë moshë, specializimi i trajtimit të tyre, për fat të keq mungon në Shqipëri.”– shprehet Muça.

 Një nga sëmundjet e shekullit që për fat të keq ka prekur një pjesë të shoqërisë, ndërkohë që pjesa tjetër, jo gjithmonë ka vëmendjen aty.

“Në radhë të parë duhet solidarizim me këta njerëz, jo vetëm me këta fëmijë por gjithashtu edhe me familjet e tyre sepse kalvari i vuajtjeve është i madh. Ai ka prekur jo vetëm këta fëmijë, por familjet e tyre dhe gjithashtu edhe një pjesë të shoqërisë e cila duhet të reflektojë për t’i ardhur në nidhmë këtyre familjeve.”

 Po sa është dëgjuar thirrja e kësaj nisme e cila ka marrë jetë prej pak kohësh?

“Falë Zotit kemi patur përkrahjen e bizneseve private të cilat na janë përgjigjur sapo i kemi parashtruar kauzën tonë. Ne në mënyrë simbolike i kemi vendosur në stenda dhe fanella logot e tyre, por mund të them me shumë krenari se një pjesë e mirë e tyre as që i ka interesuar ky fakt, thjeshtë kanë dhënë donacionin e tyre dhe kanë preferuar të mbeten anonim.”

Ndërkohë mëngjesin e kësaj të shtune u zhvilluar edhe gara e kategorisë fun run, apo vrap për kënaqësi, ku pjesë e saj ishin kryesisht fëmijë dhe adoleshent.

Top Channel