Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, është paraqitur sot në mëngjes në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Deri më tani nuk është bërë e ditur zyrtarisht arsyeja e paraqitjes së tij në SPAK dhe as cilësia në të cilën është thirrur.

Emri i deputetit demokrat është përmendur më herët në një kallëzim të depozituar në SPAK në shkurt të vitit 2024 nga Aredin Behari, ish-ortaku i tij në biznes.

Në kallëzim janë ngritur pretendime lidhur me një shumë prej rreth 1.5 milionë eurosh, që sipas kallëzuesit është investuar gjatë viteve 2010–2012 në kompaninë private “Geral AM”.

Behari ka pretenduar se kjo shumë nuk ishte deklaruar dhe ka kërkuar verifikimin e burimit të saj.

“Po u paraqite në SPAK, je i bërë pis. Jo, absolutisht! Flitet për një histori 16 vite para, ku nuk ka asnjë shkelje dhe vepër penale. Por jam i hapur. Nuk kam koment se ndoshta dhe ngarkesa e këtyre zotërinjve, t’i kushtojnë më shumë veprave të mazhorancës. Kallëzuesi është një person me problematika, madje keq më vjen ta them, por ka qenë objekt i atentateve, se është si gjobëvënës. Unë s’pranoj gjoba. Do të përballem pikë më pikë në bazë të ligjit dhe nuk kam asnjë problem. Është bashkëshortja e tij që ka hedhur në gjyq këtë kallëzues, se është mashtrues edhe në familjen e tij, jo vetëm te shoqëria”, tha ndër të tjera Baçi.

Top Channel