Ekspertët për Kosovën e Serbinë: Sot shansi i fundit, Asociacioni me kushte për serbët!

21/10/2023 11:00

Në vigjiljen e vizitës së pesë të dërguarve e të Perëndimit në Kosovë e Serbi, ekspertja për Europën Juglindore në Fondacionin gjerman Shkenca dhe Politika, Marina Vulovic pret prej tyre që të ushtrojnë më shumë presion ndaj të dy vendeve për t’ju kthyer dialogut dhe për të punuar në implementimin e marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Ky është shansi i fundit për implementim, pasi vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje në BE dhe SHBA, të cilat mund të ndryshojnë prioritetet e Perëndimit në Ballkan, shprehet ajo për DW. Megjithatë, edhe Serbia do të mbajë zgjedhje në dhjetor, që është një tjetër taktikë shtyrjeje, shton Vulovic.

Përshkallëzimet e situatës këtë vit, fillimisht me protestat e majit me disa të plagosur rëndë dhe në shtator sulmi ndaj policisë, ekspertja i sheh më tepër si rezultat i faktit që Serbia nuk dëshiron ta zbatojë marrëveshjen e Ohrit, pasi kjo do të nënkuptonte një njohje de facto të Kosovës.

Po ashtu, Kosova nuk dëshiron të zbatojë dispozitat e marrëveshjes që kanë të bëjnë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga frika e destabilizimit të mëtejshëm dhe instrumentalizimit të Asociacionit nga Beogradi. Veprimet destabilizuese në veri të Kosovës e heqin vëmendjen nga trajtimi i çështjeve thelbësore, si njohja reciproke, thotë ajo. Vulovic e mbështet pretendimin e presidentes, Vjosa Osmani për një ripërvijim të dialogut i cili sipas saj mund të përfshijë një qasje më të ekuilibruar të BE-së në negociata.

Këtu hyn rivlerësimi i masave aktuale ndëshkuese kundër Kosovës dhe marrja e masave të reja kundër Serbisë. Duhen krijuar kushtet e përshtatshme politike dhe sigurie për formimin e Asociacionit. Pa këto kushte, është e vështirë të imagjinohet se si mund të krijohet ky asociacion pa u instrumentalizuar nga Serbia për qëllime politike, thote ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA