Temperaturat arritën sot deri në 32- 33 gradë Celcius, duke shënuar kështu një ditë vere më shumë.
Por, sinoptikanja Besa Sherollari, nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, shpjegon se fundjava do të jetë me mot të paqëndrueshëm
“Fundjava pritet të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Moti parashikohet të jetë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Në orët e mbrëmjes së ditës së shtunë, reshjet e shiut do të bëhen prezente fillimisht në veriperëndim e për t’u shtrirë më pas në vijën bregdetare dhe Ultësirën Perëndimore.
Kjo situatë do të jetë prezente deri në mëngjesin e të dielës dhe gjatë ditës reshjet do të jenë prezente, por me intensitet të ulët lokale.
Nga dita e hënë presim përmirësim të kushteve meteorologjike. Moti parashikohet të jetë me kthjellime dhe vranësira kalimtare.
Në fushën termike nga dita e shtunë deri mesin e javës tjetër temperaturat do të shkojnë deri në 26-27 gradë“.
Top Channel