Duke mbajtur flamuj në duar dhe duke hedhur parulla kundër Izraelit dhe çlirimit të Palestinës, mbi 15000 grekë dhe palestinezë që banojnë në Athinë kanë protestuar në rrugët e kryeqytetit grek pas sulmit të përgjakshëm mbi spitalin e Gazës.
“Jemi këtu për të demonstruar në mbështetje të popullit palestinez. Dënojmë sulmin e Izraelit kundër popullit palestinez dhe solidarizohemi me të për një shtet të lirë dhe të pavarur të Palestinës”, tha Nikos Tzorgis, kryetari i sindikatave të punonjësve.
Protesta kundër Izraelit, e katra brenda pak ditësh, u organizua nga mbështetësit e Partisë Komuniste greke, por asaj ju bashkuan edhe aktivistë të grupeve të majta dhe studentë si dhe mijëra palestinezë me familjet e tyre.
Në fund të saj policia ka ndaluar me forcë disa demostrues që u përpoqën të kalonin një zonë të ndaluar.
Më herët jashtë ambasadës së Izraelit në Athinë janë mbledhur dhjetëra izraelitë duke mbajtur flamuj në duar dhe fotografi të viktimave të vrara nga organizata terroriste Hamas si dhe të pengjeve që mbahen prej tyre.
“Ne thjesht duam që do të ketë një zgjidhje që ata të kthehen në shtëpi. Kjo është ajo që ne shpresojmë”, tha Dr. Clarisse Molande, banore në Tel Aviv.
Pas sulmit terrorist në Bruksel dhe situatës në Lindjen e Mesme, Greqia ka shtuar masat e sigurisë dhe Policia dhe Shërbimi i Inteligjenëcs janë në gatishmëri të plotë duke filluar një raund të ri kërkimesh për personat që janë etiketuar ose kanë lidhje me xhihadistët.
Në këtë kuadër, autoritetet janë fokusuar në xhami apo vende të tjera ku grumbullohen emigrantët, ndërsa vëmendje e veçantë i kushtohet kufijve të vendit.
Në 24 orët e fundit janë shtuar edhe masat për vendet njohura turistike siç është shkëmbi i shenjtë i Akropolit, i cili edhe tani – pavarësisht se sezoni turistik ka përfunduar – çdo ditë pret qindra vizitorë.
Top Channel