Ushtria izraelite mohoi përgjegjësinë për bombardimin e spitalit të Gazës, ku mbetën të vdekur 500 persona.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thonë se bazuar në informacionin e inteligjencës, një raketë e dështuar e Xhihadit Islamik Palestinez shkaktoi shpërthimin vdekjeprurës në spitalin e Gazës.
Në një deklaratë, IDF shprehet: Një analizë e sistemeve operacionale të IDF tregon se një breshëri raketash u hodhën nga terroristët në Gaza, duke kaluar në afërsi të spitalit Al Ahli në Gaza në kohën kur u godit. Inteligjenca nga burime të shumta që kemi në duart tona tregon se Xhihadi Islamik është përgjegjës për lëshimin e dështuar të raketës që goditi spitalin në Gaza.
Kirurgu Ghassan Abu Sita përshkruan për BBC kaosin që mbizotëroi në spitalin Al Ahli në Gaza, menjëherë pas shpërthimit që shkaktoi qindra të vdekur: “Ka njerëz që kërkojnë të gjejnë strehim. Disa pjesë të spitalit janë në flakë. Nuk e di nëse është vetëm urgjenca! Ka zjarr edhe në sallat e operacionit! Një pjesë e çatisë është shembur”.
Kjo deklaratë konfirmon atë që thonë palestinezët që janë bllokuar në Gaza: Nuk ka vend për t’u fshehur nga bombat. Ministri i OKB-së, Antonio Guterres, bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Ministri palestinez i Shëndetësisë përshkruan skena tmerri të papërshkrueshëm: Ekuipazhet e ambulancës po u heqin ende gjymtyrët viktimave që janë shpërndarë në spital. Numri i viktimave dhe plagëve të tyre tejkalon kapacitetin e ekipeve mjekësore dhe ambulancave. Mjekët po kryejnë operacione në terren dhe në korridore, shumë prej tyre pa anestezi dhe një numër i madh i të plagosurve janë ende në pritje të operacioneve, ndërsa ekipet mjekësore përpiqen t’u shpëtojnë jetën në njësinë e kujdesit intensiv.
“Shumë njerëz janë ende në pritje të operacioneve dhe ekipet mjekësore po përpiqen të shpëtojnë jetën e tyre në kujdesin intensiv”, tha Dr. Al Kudra. Ai shtoi se shumë nga viktimat ishin fëmijë dhe gra, të cilët janë lënduar aq rëndë saqë është e pamundur të identifikohen, pasi kanë humbur tiparet e tyre. “Shumë nga lëndimet që kanë pësuar janë përtej aftësive të ekipeve tona mjekësore”, u shpreh mjeku.
Top Channel