Hamas, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, përdor një rrjet global financimi për ta kanalizuar mbështetjen nga organizatat e bamirësisë dhe vendet mike, duke i kaluar paratë përmes tuneleve të Gazës, apo duke përdorur kriptovalutat për t’i shmangur sanksionet ndërkombëtare.
Ekspertët thonë megjithatë se pas këtij sulmi, më i madhi i ndërmarrë prej tij ndaj Izraelit, grupi militant palestinez do ta ketë shumë më të vështira sigurimin e fondeve. Policia izraelite ngriu në fillim të javës një llogari bankare në bankën Barclays, e cila, sipas autoriteteve, lidhej me grumbullimin e të hollave për Hamasin, si dhe i bllokoi llogaritë e kriptovalutave të përdorura për të mbledhur donacione, pa treguar saktësisht sa llogari e as vlerën e tyre.
Ky vendim ofroi një pasqyrë të vogël të një rrjeti të koklavitur financiar, pak ligjor e më shumë të fshehtë, një shtyllë e rëndësishme kjho për Lëvizjen e Qëndresës Islamike, dhe Qeverisjen e saj në Rripin e Gazës, të cilën e ka udhëhequr që nga viti 2007.
Matthew Levitt, ish-zyrtar amerikan i specializuar për kundër-terrorizëm, vlerëson se shumica e buxhetit të Hamasit prej 300 milionë dollarësh është grumbulluar nga taksat ndaj bizneseve, si dhe nga vendet si, Irani dhe Katari, apo nga organizatat e bamirësisë. Shkurtin e vitit të kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit tha se Hamasi ka mbledhur fonde në vendet e tjera të Gjirit, dhe se merr donacione nga palestinezët, si dhe nga mërgimtarët e tjerë dhe organizatat e veta të bamirësisë. Hamasi ka përdorur shumë kriptovalutat, sipas Levitt, kartelat e kreditit apo marrëveshjet e sajuara tregtare për t’i shmangur sanksionet ndërkombëtare, tha Levitt, por sistemi i kriptovalutave ka rrezikun që transaksione të tilla të mund të gjurmohen.
Mes dhjetorit 2021 dhe prillit të këtij viti, Izraeli i konfiskoi pothuajse 190 llogari të kriptos, për të cilat u tha se lidheshin me Hamasin.
Top Channel