E ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë aktorja e njohur Zamira Kita. Ajo ka folur më shumë mbi premierën e “Në kuadër të dashurisë”, si dhe zbuloi edhe disa të pathëna…
Fillimisht si u ndjeve në premierë dhe pasi pe filmin?
Jam ndierë shumë mirë. Thonë që aktorëve rrallë u pëlqen vetja, por mua më pëlqeu mënyra se si kisha interpretuar, si e kisha ruajtur figurën nga fillimi në fund, si dilte humori në mënyrë shumë të sinqertë dhe serioze. Sa më seriozisht luaja unë dhe kolegët e mi, aq më shumë krijohej humor. Më pëlqyen protagonistët, por do të doja të veçoja aktorët që mbajtën humorin gjatë filmit, Luan Jaha, Ylber Bardhi, dy artistë të mrekullueshëm të Kosovës. Dhe për t’u çuditur, me aktorët kryesorë, me ata që ishin bukuria, lezeti, energjia, edhe me ata qeshej. Kishte situata shumë të bukura që krijoheshin nga dy personazhet kryesorë, që ishte Besi dhe Jonida që luhej nga Luizi dhe Olta. E përmend shpesh humorin sepse kjo është kinokomedi, pra një film komik-romantik. Dhe ia arriti qëllimit për të bërë publikun të qeshte. Në çdo batutë kishte ovacione, kishte duartrokitje, kishte të qeshura. Unë e shijova shumë.
Çfarë kishte ndryshe premiera?
Si fillim gjej rastin të falënderoj Top Channel për këto organizime gjigande. Pjesa e madhështisë nuk ishte vetëm në organizimin e ecjes në tapet dhe realizimit të premierës, por ishte në realizimin e gjithë këtij filmi kaq të bukur. Gjithçka u punua me pasion, por me punë shumë të madhe dhe të lodhshme. Kjo ishte ndryshe nga çdo film tjetër, lodhja ishte shumë e madhe por rezultati u duk që ishte goxha i bukur. Dhe mënyra e organizimit, unë jam ndierë goxha e privilegjuar të eci në atë tapet, të eci dhe të dëgjoj ovacione nga publiku, të rinj që kërkonin të bënin foto edhe me mua. Unë e di që vëmendja ishte tek personazhet më të komentuar të momentit, por jo vetëm. Ne ishim të gjithë në qendër të vëmendjes së publikut.
Ndërkohë pse mungoi Ledri Vula në tapetin e kuq krah Sarës? Po ashtu dhe Dori, partneri i Oltës?
Ledri do të jetë në Prishtinë, në premierën atje. Nuk kishte mundësi që të vinte, sepse ata kanë shumë ngarkesë, kanë aktivitete, kanë data koncerti. Janë disa evente të mëdha, është në Tiranë, është në Prishtinë që do të jetë po aq i madh eventi. Kështu që do të zgjedhë njërën prej tyre për shkak të angazhimeve. Edhe unë nuk e kisha bashkëshortin, edhe unë me vajzën isha. Edhe ai do të jetë tek premiera në Korçë sepse nuk mund të vinte për shkak të angazhimeve. Punët e tyre janë të caktuara me data më përpara, dhe sado që premiera u caktua, nuk mund të shtyheshin. Të premten do të jetë premiera në Korçë dhe gjithë korçarët mezi po e presin. Filmi ka pjesën më të madhe të xhirimeve në Korçë dhe kishte dalë shumë e bukur.
Si të erdhi ftesa për të qenë pjesë e filmit?
E para që kam marrë ftesën kam qenë unë dhe ka kohë, ndoshta dy vite. Kolo e ka pasur në mend të bëjë këtë komedi romantike në Korçë, aty do të zhvilloheshin ngjarjet, tematika do të vinte prej andej, familja do të ishte korçare. Kur e ka shkruar rolin tim, ai e ka shkruar për mua. Ai ka shkruar duke vendosur emrat e personazheve që do të merrte. Kur mbaroi “Big Brother” dhe u duk popullariteti i personazheve, dashuria e madhe e publikut për ta, kontributi që ata mund të jepnin në këtë film, stafi menduan se mund të bënin disa ndryshime për të rritur cilësinë e filmit, popullaritetin, por kryesorja është profesionalizmi. Dhe Zamira ishte e vetmja që ngeli nga të gjithë ata të parët që nuk u ndryshua. Dhe doli ky staf që jemi sot. Unë kisha besim absolut që Kolo do të bënte diçka të bukur dhe e kam pranuar direkt.
Çfarë mund të na thuash ndonjë prapaskenë te filmit?
Unë personalisht gati 5 ditë me radhë kam xhiruar deri në 5 të mëngjesit. Për shembull skena para teatrit është xhiruar në 5 të mëngjesit dhe rrezikonte të zbardhe dita dhe të na prishej nga zhurmat e makinave. Morëm policinë dhe ata filluan të bllokojnë makinat që të mos na krijonin zhurmë, por e pamundur. Ishte shumë sforco. Edhe skenat tek pazari u lanë të bëheshin në një moment tjetër sepse zbardhi dita. Do të tregoj dy momente të bukura të filmit. E para, kur kemi xhiruar skenën në krevat me Çimin, ai po priste të vinte radha jonë për xhirim dhe kushedi sa shkoi ora. Dhe Çimin e kishte zënë gjumi, flinte në krevat. Ne filluam xhirimin dhe ai ishte në gjumë. I ka vazhduar përgjumësh batutat, ishte shumë i lodhur. Kjo ishte shumë për të qeshur. Tjetra ka qenë kur po diskutoheshin puthjet e filmit. Luizi kishte ngacmuar Çimin se pse nuk puthej me Zamirën. Sepse çifti jonë në fakt nuk mund të kishte një puthje, sepse ishin të konsumuar, të lodhur me njëri-tjetrin. Si duket kishte menduar që kishte një puthje dhe unë nuk doja ta bëja. Mund të kishte pasur një puthje me Salsanon kur ai po më afrohej, por filmi ka shumë procese si montazhi apo regjia dhe duhet hequr disa momente.
Top Channel