Anëtarët e Komisionit të Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Sportit u mblodhën sërish këtë të premte për të diskutuar projektligjin për të drejtat e autorit, por për deputetët çështja e ish-kreut të SHISH ishte më e rëndësishme.
Mbledhja u dominua nga debatet për Vlora Hysenin që një ditë më parë doli për herë të parë publikisht pas masës së arrestit shtëpiak, që iu la në fuqi nga GJKKO.
Kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa ngriti akuza për funksionimin e institucioneve shtetërore. Donit të fshihnit elefantin në dhomë, ironizoi Zhupa deputetët e mozharoncës, që i bëri fajtorë si pengues të debatit parlamentar për çështjen e ish-kreut të Inteligjencës Shqiptare në seancën e djeshme parlamentare. Erion Malaj u kundërpërgjigj në emër të mozhorancës, duke përdorur si argument Rregulloren e Kuvendit.
Ina Zhupa – Dje asistuam në një seancë të turpshme plenare ku me forcën e kartonit çuat me votën tuaj menjëherë dy projektligje, edhe me forcën e kartonit ndaluat që ai parlament të fliste për narkoshtetin, të kërkonte dorëheqjen e Edi Ramës, të thërriste për një përgjegjësi atë përpara Kuvendit edhe të kthejë në një kuvend që i përgjigjej protestës qytetare…. Momentet më të vështira për vendin që të bjerë shteti, sa të gjithë krerët më të rëndësishëm të institucioneve, duke filluar nga kreu i inteligjencës, AKSHI, te kreu i Policisë së Shtetit, të vihen në shërbim të krimit edhe të manipulohen votat për krimin, edhe të manipulojnë krimin, edhe të shesin informacion sekret shtetëror.
Erion Malaj – Nga ana juaj është kërkuar ndryshimi i rendit të ditës dhe mocion me debat, por mocioni me debat me kryeministrin nuk kalon nga ana e seancës plenare. U mbajtën tre orë dëgjesa për procedurë. Ne nuk ndalemi në raste konkrete, por e kemi thënë dhe po e përsërisim, ne me drejtësinë nuk kem asnjë punë!
Debati vijoi për protestën dhe përplasjet jashtë Kuvendit, Zhupa përmendi punonjësin e PD-së që u ndalua nga policia, ndërsa Malaj u kundërpërgjigj duke i dalë në mbrojtje uniformave blu.
Ina Zhupa – Jashtë Kuvendit ju dhunonit gra dhe gra, pleq edhe pala në një skenë të turpshme që njerëzit që kalonin rrugës kapeshin edhe dhunoheshin nga policia, edhe këtu mund t’ju sjellë rastin e goditjes të punonjësit të Partisë Demokratike, zotit Gjin Gjoni, i cili po kalonte se do të shkonte te Selia e PD-së edhe e goditën edhe e morën zvarrë, që një burrë i moshuar dhunohet nga policia.
Erion Malaj – Asnjë formë nuk është e drejte, por mos e përdornin në këtë formë. Nuk jam dakord as me dhunën ndaj një efekti të drejtësisë. Kjo është e papranueshme. Kur the qëparë që u godit Gjon Gjini, u tremba, thashë se mos ishte Gjin Gjoni…
Pas 16 minutash diskutime jashtë rendit, fjala u kalua botueses Arlinda Dudaj dhe kryetarit të shoqatës së përkthyesve Rexhep Hida, që dhanë propozimet e tyre për të forcuar të drejtat e autorit.
Top Channel