“Zëra të fuqishëm” të Ballkanit, me foto e video, AFP sjell histori nga miniera në atelie dhe sfidon stereotipet për gratë

25/09/2026 15:28

Një ekspozitë dedikuar grave të Ballkanit dhe historive të tyre të jashtëzakonshme u çel mbrëmjen e kaluar në ambientet e Vilës 31.

Përmes fotove dhe videove të realizuara nga bashkëpunëtorët e AFP-së në Ballkan, këto gra të moshave dhe profesioneve të ndryshme rrëfejnë botën e tyre, nga miniera në atelie…

“Pas çdo fotoje ka një histori të këtyre grave, që janë bërë me forcën e punës së vetë dhe kanë ndikuar në komunitetin ku jetojmë. I kemi përzgjedhur në tre breza të ndryshëm dhe tre profesione krejt të ndryshme nga njëra-tjetra”, tha fotografi Adnan Beci.

Për organizatorët, kjo ekspozitë lindi nga nevoja për të dëgjuar gratë e rajonit, për të parë përtej stereotipeve që pjesa tjetër e Europës u ka mveshur jetëve të tyre, për të çmontuar klishetë dhe për të zbuluar të vërtetat e tyre.

“Të gjithë ishim të një mendimi se zërat e grave të këtij rajoni duhet të dëgjohen! Dhe jo me fjalët tona, por me fjalët e tyre. Ndaj donim që secila prej tyre të tregonte historinë e vet. Kam parë te secila prej tyre që ka një fuqi të jashtëzakonshme për të luftuar stereotipet”, tha Camille Bouissou.

Nga liria te pamja e jashtme, nga mëmësia te ekonomia, zërat e tyre ndërthuren për të vizatuar se çfarë do të thotë të jesh grua në Ballkan – dhe përtej tij. Ekspozita “Zëra të fuqishëm” – Gratë e Ballkanit – Forcë dhe trashëgimi do të qëndrojë e hapur në vilën e ish-diktatorit deri më 2 tetor.

Top Channel