Ekspedita arkeologjike shqiptaro-italiane është duke nxjerrë konkluzionet e para pas gërmimeve dhe sondazheve të kryera në parkun e Finiqit përgjatë shtatorit.
Foinike dikur qendra e Kaonisë e që prej vitit 234 p.k edhe kryeqendra e Epirit, është mes siteve më të rëndësishme arkeologjike pas Butrintit. Qyteti antik i vendosur mbi një kodër 283 m mbi nivelin e detit me pozicion strategjik dhe me fushëpamje mbi gjithë luginën e Vurgut, deri në liqenin e Butrintit ka zbuluar të reja të rëndësishme për arkeologët sa i përket arkitekturës publike gjatë periudhës romake,funksionit të godinave jetës qytetare dhe zhvillimeve politike. Belisa Muka drejtuesja shqiptare e ekspeditës mendon se në këtë fazë të re të hulumtimit mbi periudhën romake janë ekspozuar të reja me vlerë mbi nekropolin Jugor, gjithashtu objekte, rrugë dhe sheshe publike me funksione themelore për organizimin e qytetit.
Prof. Giusepe Lepore nga universiteti i Bolonjës konfirmon se gërmimet çelin një perspektivë të re të leximit të fazave të jetës së kësaj qendre të rëndësishme. Përfshirja e studentëve në projekte të tilla sipas tij mund të ndihmojë procesin e konservimit të rrënojave dhe të realizojë një njohje më të gjerë për parkun.
“Studentët po kontribuojnë në mbrojtjen e mureve të nxjerrë në dritë e për pasojë mësojnë më shumë rreth teknikave të konservimit dhe restaurimit. Motiv me vlerë është edhe valorizimi turistik i sitit sepse potenciali është shumë i lartë në këtë sit“, u shpreh Giusepe Lepore, bashkëdrejtues universiteti i Bolonjës.
Parku arkeologjik i Finiqit vetëm 8 km larg Sarandës, me një sipërfaqe prej 57 ha dhe zonë arkeologjike prej 150 ha u krijua në vitin 2005. Gërmimet e viteve të fundit konfirmuan datimin e tij që prej shek V p.k. ndërsa të vizitueshme janë teatri, agoraja, rrënojat e një bazilike paleokristjane, tempujt, muri rrethues, banesat dhe vilat.
Top Channel