“Dy deputetë të PS do votojnë kundër Reformës Territoriale”, Zegjine Çaushi i përgjigjet Gjin Gjonit për Sinajn e Braçen: Shih ëndrra, shih…

05/10/2026 14:32

Debati për votat e nevojshme për miratimin e reformës territoriale u zhvendos sot në Komisionin e Ligjeve.

Deputeti i PD-së, Gjin Gjoni, iu referua raportimeve mediatike se dy deputetë të PS-së kanë kundërshtuar propozimin e mazhorancës për hartën e re territoriale, duke shprehur shpresën që ata të ruajnë të njëjtin qëndrim edhe në votimin në Kuvend.

“Nga burimet mediatike sot, dy deputetë në grupin tuaj parlamentar e kanë kundërshtuar. Shpresojmë të qëndrojnë deri në momentin e fundit dhe do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për komunitetet dhe bashkitë që kërkojnë të mos shkrihen”, tha Gjoni.

Deklarata e Gjonit solli reagimin e deputetes së PS-së, Zegjine Çaushi, e cila u shpreh e bindur se mazhoranca i ka 84 votat e nevojshme për miratimin e reformës.

“Për atë që tha zoti Gjoni, vazhdoni shikoni ëndrra, vazhdoni mbani veshët pas derës. I kemi apo s’i kemi ne ato 84 votat tona. Ne e kemi provuar disa herë se çfarë skuadre dhe ekipi solid jemi. Kështu që edhe këtë të enjte do ta shikoni shumë mirë se kush ne jemi”, deklaroi ajo.

Diskutimet në Komisionin e Ligjeve janë shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës edhe për procesin e konsultimit.

Top Channel