Një marshim sensibilizues është organizuar në Elbasan në kuadër të Tetorit Rozë.

Gra vajza, por edhe nxënës shkollash përcollën mesazhet e ndërgjegjësimit për kryerjen e kontrolleve rutinë. Marshimi u organizua nga spitali rajonal i Elbasanit, i cili disponon të gjitha pajisjet e nevojshme për identifikimin në kohë të kësaj sëmundje.

“Jemi mbledhur sot për të bërë një sensibilizim kundër kancerit të gjirit në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë informacion dhe të kryejnë kontrollet rutinë, duke bërë një eko apo një mamografi. Gjatë muajit tetor në spitalin Rajonal të Elbasanit shërbimi i mamografisë kryhet me orar të zgjatur, prej orës 08:00-18:00, shërbim icily ofrohet falas“, tha Alba Ndrita nga Spitali Rajonal Elbasan.

“Fakti që organizohen të tilla aktivitete sensibilizuese, fakti që mamografia ofrohet falas në të gjitha qytetet e Shqipërisë ka bërë që të ketë më shumë informacion dhe të rritet numri i femrave që kryejnë kontrolle pa qenë të sëmura“, shpjegoi psikologia klinike, Jonida Mustafaraj.

Sa i rëndësishëm është shërbimi psikologjik në të tilla raste?

“Shërbimi psikologjik është shumë i nevojshëm për një grua, e cila zbulon se është e prekur nga kanceri i gjirit. Dhe ky shërbim është shumë i rëndësishëm që nga momenti i marrjes së lajmin e deri në fund të trajtimit i cili mund të zgjasë me vite.

Në spitalin e Elbasanit po bëjmë një plan për të krijuar disa fokus grupe me familjarë të pacientëve të prekur. Sepse nga puna ime kam vënë re që shërbimi psikologjik në të tilla raste është shumë i rëndësishëm edhe për familjen. Familjarët duhet të kenë po ashtu mbështetjen e duhur psikologjike”.

Gjatë vitit 2022 në shërbimin onkologjik në Elbasan kanë kryer kontrolle rutinë 3005 persona, ndërsa në periudhën janar- shtator 2023 janë kryer 2200 kontrolle.

Në 9 muaj të vitit 2023 në Elbasan janë diagnostikuar me kancer gjiri 34 gra të moshës 40-50 vjeçe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA