Një vlerësim aq i papritur edhe për atë vetë, aq sa u shpreh i tronditur dhe i frikësuar nga lajmi.
Nobeli i sivjetshëm i Letërsisë i shkoi shkrimtarit norvegjez Jon Fosse, i vlerësuar nga akademia suedeze në Stokholm për dramat dhe prozën e tij novatore. Autori, thuhet në deklaratën e saj, u dha zë të pathënave.
I lindur në 1959-en në Haugseund, shkrimtari dhe dramaturgu Fosse është autor i disa veprave, një pjesë e të cilave të përkthyera në disa vende të botës. Nga teatri tek poezia, debutimin e tij e bëri në vitin 1983 me romanin “Raudt, svart” (“E kuqe, e zezë”), ndërsa eksperimentoi më vonë edhe me narrativën e shkurtër, poezinë dhe letërsinë për fëmijë.
Drama e tij e parë “Diçka po vjen”, daton në 1992-shin. Kodi i saj stilistik cilësohet si “i karakterizuar nga një shkrim i kursyer dhe i pamëshirshëm, i gatshëm për të kapur të gjitha kontradiktat e gjuhës duke kaluar në lupë çështje si qëndrueshmëria e komunikimit, hendeku i brezave e pasiguria e marrëdhënieve familjare dhe atyre në çift. 64 vjeçari është norvegjezi i parë që fiton Çmimin Nobel në Letërsi që nga viti 1928. Duke folur për transmetuesin shtetëror norvegjez, NRK, Fosse tha se ishte befasuar jashtëzakonisht shumë kur kishte marrë telefonatën e fitores së tij.
Megjithatë, ai rrëfeu se nga ana tjetër kishte një dekadë që përgatitej mendërisht për një mundësi të tillë, me shpresën që ajo thirrje t`i mbërrinte një ditë.
Top Channel