Rikthimi i festivalit të filmit pas 14 vitesh ka vendosur në qendër të vëmendjes një debat që ka përfshirë komunitetin e kinematografisë shqiptare.
Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, regjisori i njohur Mevlan Shanaj e kritikon organizimin të cilin e cilëson “palo festival” dhe pretendon se mund të shërbejë si një “paradhomë” për ndryshimin e ligjit aktual te kinematografisë.
Top Channel iu drejtua regjisorit Shanaj për të sjell këndvështrimin e tij më të zgjeruar mbi festivalin dhe të ardhmen e prodhimit shqiptar kinematografik.
“Festivali është një event që po e krijojnë ca njerëz të paditur, duke shkelur parimet të shenjta, për shembull, në festival japin 16 çmime të karrierës, absurde, jepet një çmim, kaq është në dy, nuk zhvlerësohen se janë të gjithë figura të nderuara. Pra, kjo tregon që janë njerëz të paditur”, u shpreh ai.
Shanaj thekson se struktura e re e heq konceptin e filmit dhe e quan “Agjenci e Shërbimit Audiovizual”. Sipas tij, kjo rrezikon ta largojë fokusin nga prodhimi i filmit shqiptar dhe ta kthejë vendin kryesisht në një pikë shërbimi për produksionet e huaja.
“Po mundohen të kalojnë një ligj për Kinemanë në parlament. Ligji është i tmerrshëm, kundër prodhimit të filmit shqiptar. E heqin konceptin e filmit dhe thonë Agjenci Shërbimi. Është, është e dhimbshme kjo. Me qëllim ta groposësh, këtu ka një mendim shumë të qartë. Zhdukjen e prodhimit të filmit shqiptar, zhdukjen edhe eliminimin e producentëve shqiptarë, sidomos të regjisorëve. Në rast se ti e vendos në këtë pozicion, ai fillon tretet”, thekson regjisori.
Pikëpyetjet e Shanajt ngrihen edhe për rolin e profesionistëve shqiptarë në këto produksione, duke argumentuar se ata rrezikojnë të mbeten vetëm në nivelet e shërbimit teknik.
“A e keni parasysh se çfarë mund të ndodhë kur vjen një produksion i huaj në Shqipëri? Se ka hierarki. Ai grupi i huaj që do vijë, do marri shqiptarin dhe ta vendosë në një pozicion ku do ta çojë? Punëtor, atje të fundit. Cili është qëndrimi i shtetit shqiptar për kulturën shqiptare, për filmin shqiptar? Kjo është pyetja kryesore. A kemi ne qëndrim serioz për ta mbrojtur filmin shqiptar, për ta ruajtur dhe jo për ta nëpërkëmbur. Filmi është krenari kombëtare. Përse e shkelni? Unë këtu nuk shikoj një pozicion të shtetit. Dhe këta që mendohet se e kanë përgatitur këtë ligj, nuk i dimë se janë anonim”, thotë për Top Channel Shanaj.
E duke u rikthyer tek prodhimet aktuale shqiptare në kinematografi, sipas Mevlan Shanjat, arti ne kinema meritën e ka tek rezistenca dhe sot të rinjtë nuk e kanë terrenin e duhur për të bërë filma me vlera artistike.
Top Channel