Janë dërguar në gjykatën e Athinës dy shtetas turq nën akuzën e ekzekutimit të gjashtë shtetasve turq, një muaj më parë në Luça të Athinës.
Falë një operacioni të përbashkët me policinë turke u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi në Athinë i njëri prej autorëve, një 28 vjeçar shtetas turk. Ndërsa më herët ishte arrestuar në aeroportin e Athinës edhe një bashkëpunëtor i ekzekutorëve të masakrës më të madhe të ndodhur ndonjëherë në Greqi, mes bandave të krimit të organizuar.
28-vjeçari turk u kap në banesën e tij në zonën Agios Dimitrios, i cili ishte kujdesur të mbante një profil të ulët për të mos ngritur dyshime për veprimet e tij dhe pakkush në lagje dinte detaje nga jeta e tij.
Ai mësohet se ka qenë njeriu që ka marrë përsipër të “skanojë” vendin e ekzekutimit pak kohë përpara masakrës siç rezultoi nga dëshmitë dhe videot e kamerave të sigurisë në zonën e Artemidës. Elementi që e tradhtoi dhe bëri që policia ta arrestonte, ishin rrobat dhe këpucët e gjetura në banesën e Agios Dimitrios të cilat janë të njëjta me ato që ai kishte veshur ditën e ekzekutimit të gjashtë bashkatdhetarëve të tij.
Në banesën e tij, efektivët e policisë gjetën edhe një pako plastike të improvizuar me një sasi kanabisi të papërpunuar, ndërsa, siç rezultoi nga hetimet paraprake, 28-vjeçari njihet nga autoritetet greke për rastet e armeve dhe transportimit të paligjshëm të të huajve. 28-vjeçari dyshohet se ishte në komunikim të drejtpërdrejtë me bashkëpunëtorin e tij 32-vjeçar, i cili duke pasur një rol qendror në vrasje, mori përsipër ta transportonte në rrugën Arionos.
Policia thotë se për ekzekutimin e 6 anëtarëve të organizatës turke ishin përdorur 2 pistoleta 9mm si dhe dy armë automatike tip Uzi. Në vend ngjarje u gjeten më shumë se 200 gëzhoja, nga të cilat 70-80 kishin gjetur objektiv. Më herët policia turke kreu një tjetër operacion në Stamboll, ku u arrestuan 6 pjesëtarë që grupit që urdhëroi masakrën dhe u gjetën disa armë dhe municione. Dyshohet se masakra ndodhi pas përballjes së bandave turke në Francë dhe Belgjikë për trafikun e drogës dhe emigrantëve klandestinë mes vendeve të Afrikës veriore dhe Europës.
Top Channel