Ndërtimi është pesimist/ Janë ulur porositë dhe kreditë, por blerjet po bëhen me para në dorë

03/10/2023 19:43

Treguesi i ndjesisë ekonomike u tkurr me 2.4% në shtator.

Indikatori që mat pulsin e ekonomisë goditjen më të fortë e mori nga sektori i ndërtimit, ku bizneset raportuan volum më të ulët punimesh, por edhe porosish. Sipas aktorëve të tregut, faktor kryesor ishte ndryshimi i çmimeve të referencës për banesat në kryeqytet.

“Nuk ka të bëjë shumë me besimin e ndërtuesve apo ritmet e ndërtimit që nuk kanë rënë madje vazhdojnë me të njëjtin intensitet, ose edhe më të lartë. Ka të bëjë me faktorë që nuk lidhen drejtpërdrejt me ndërtimin, por me besimin e njerëzve për momentin aktual te çmimet e tregut. Pra, zhurma për çmimet e referencës, ndryshimi i gjithë asaj që ne duhet të paguajmë për një ndërtesë e ka bërë tregun të paqartë nëse duhet të veprojnë tani apo duhet të presin, se mos këto çmime reference do të anulohen”, tha Ilir Hebovija, nga Shoqata e Ndërtuesve.

Edhe pse jep sinjale negative sektori vijon të ruajë besimin se çmimet do të rriten. Në një ambient financiar, ku normat e interesit janë rritur dhe kredia e re është ngadalësuar, sektori i ndërtimit nuk po ndikohet nga zhvillimet. Sipas aktorëve të tregut investitorët po gjejnë edhe kanale jashtë bankave.

“Ka një lloj mospërputhje, mosreagim nga bankat e nivelit të dytë në drejtim të tregut të banesave, mbase janë tërhequr apo duan të rrisin normat për kthimin e investimit të tyre, por investitorët e tjerë kanë gjetur rrugë të tjera për investuar në banesa, duke anashkaluar tregun bankar, gjë e cila për mua është një e metë e sistemit. Investitorët duke mos pasur fusha të tjera ku të investojnë e shohin më të qëndrueshëm industrinë e ndërtimit dhe investimin në banesa dhe një opsion për të marrë mbrapsht më shpejt kthimin e tyre”, tha Hebovija.

Ndërtimi tashmë po tërheq edhe investitorë të huaj, ndërsa tremujorin e dytë ishin 11 milionë euro të investuara, me 55% rritje nga një vit më parë.

Edhe më i vrullshëm është aktiviteti i pasurive të paluajtshme ku janë 127 milionë euro banesa të blera nga të huajt në gjashtë muajt e parë të vitit. Edhe pse me ngadalësim, shifrat qëndronin mbi mesataren historike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA