Një 66-vjeçar u arrestua në Dimal pasi i vuri flakën një sipërfaqeje të madhe toke me bimësi e ullinj.
Banues në fshatin Goriçan, B. T., në fakt donte të digjte vetëm disa barishte në tokën e tij, por era e fortë shpërndau flakët.
“Shërbimet e Policisë Dimal, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Goriçan, Dimal, kishte rënë zjarr i cili ishte përhapur nga era dhe po digjte një sipërfaqe të madhe me bimësi dhe ullinj, menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe së bashku me shërbimin zjarrfikës, kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.
Top Channel