Beteja për shuarjen e vatrave të zjarrit vijon edhe në ditën e 6-të, në masivin pyjor të Pishë Poro dhe Darëzezës në Fier.

Forcat operacionale kanë qenë në terren deri në mesnate pasi të favorizuara nga era e fortë detare, të gjitha vatrat e zjarrit në pyll janë aktivizuar duke u përhapur deri në masivin pyjor të Darëzezës ku flaket u afruan deri në 300 metra pranë zonës së banuar dhe bizneseve që operojnë në të.

Dy mjete zjarrfikëse kanë vënë nën kontroll këtë vatër zjarri të rrezikshme ndërkohë që përgjatë gjithë natës zona është monitoruar nga shërbimet zjarrfikëse.

Sipas prefektit Lefter Shehaj, operacioni ka filluar në orët e para të mëngjesit të sotëm ku në terren po punojnë 5 mjete zjarrfikëse me 20 efektivë, 40 efektive të forcave të armatosura , punonjës të ADZM, forca mbështetëse të bashkisë dhe një buldozer i Ministrisë së Mbrojtjes.

Vatrat e zjarrit aktualisht janë me intensitet të ulët për shkak të vesës së shiut gjatë natës.

Teksa flakët në bregdetin e Pish Poro-së vijojnë të përhapen, në terren ka zbritur ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili teksa ka theksuar se në orët në vijim do të ketë përforcime të mjeteve zjarrfikëse ka deklaruar se është kërkuar ndërhyrje nga emergjenca civile e Bashkimit Evropian.

Balla gjithashtu ka pohuar se do të investohet për hapjen e korridoreve në masivet pyjore.

 

 

 

FOTO GALERI
1/4

Top Channel