Vajza 10-vjeçare vdes pas operacionit për të cilin nuk kishte nevojë, prindërit kërkojnë përgjigje (fotot)

21/09/2023 17:35

Prindërit e një vajze dhjetë-vjeçare e cila vdiq pas disa operacioneve që e lanë me një ‘objekt të huaj’ në kurriz, kërkojnë tashmë përgjigje nga mjekët dhe zyrtarët e spitalit.

Dollceanna Carter nga Meath në Irlandë, kishte gjendjen ‘spina bifida’, një çrregullim i lindur në shtyllën kurrizore i cili nuk e pengonte te jetonte jetën e saj. Por pas disa procedurash kirurgjikale ajo tragjikisht vdiq në shtator të vitit të shkuar dhe prindërit e saj kanë mbetur me shumë pyetje për vendimet mjekësore në muajt e fundit të jetës së të voglës.

Zyrtarët vendas të komisionit të mbikëqyrjes e kanë cilësuar rastin si një “incident të rëndë kirurgjik”, hetimet për të cilin kanë bërë të rihapen çështjet edhe për 18 fëmijë të tjerë të trajtuar në spitalin e Temple Street, dhe kirurgun që i operoi ata.

Të gjithë fëmijët me ‘spina bifida’ kishin pësuar komplikacione më të larta se normalja pas operacioneve nga doktori i spitalit me shqetësime të ngritura mbi ndërhyrjet komplekse të shtyllës kurrizore, për komplikacionet dhe infeksione e pësuara pas tyre.

Prindërve të Dollceanna, Michael e Bridget iu tha se ajo kishte vdekur nga infeksioni i sepsis pas kirurgjive të kryera nga maji deri në shtator të vitit të shkuar.

Por ata nuk e dinin këtë deri pas mbajtjes së hetimeve që përfunduan muajin e kaluar, shkruan rrjeti ‘Irish Mirror’.

“Ne na thanë se po bëhej një hetim por nuk e dinim çfarë do të thoshte, ne donim vetëm përgjigje,” thanë ato, duke shtuar se Dollceanna kishte kaluar një fëmijëri normale edhe pse përdorte karrige me rrota.

Por pas kirurgjive asaj i kishin vendosur një pajisje të paautorizuar në kurriz, tha avokati Ciaran Tansey.

“Ajo ishte gjithmonë duke luajtur me shokët, apo duke hyrë e dalë në shtëpitë e fqinjëve, nuk ishte sëmurur kurrë në dhjetë vjet,” thotë babai Michael, duke shtuar se Dollceanna e dashur, inteligjente dhe kishte një përgjigje për gjithçka.

Dollceanna, e cila kësaj jave ka përvjetorin e vdekjes, shkoi për herë të parë në spitalin e Temple Street në maj 2022 për operacionin që Michael e Bridget thonë se “shkoi mirë”. Por pas dy javësh ajo u rikthye në spital pas infeksionit që kishte marrë.

Prindërit e saj zemërthyer thonë: “Ne e dimë tashmë se ajo nuk kishte nevojë për operacionin dhe sikur të mos e kishte bërë do të ishte gjallë duke luajtur me miqtë e saj. Duam të dimë nëse fëmija jonë është një nga ata që i kishin futur sustat. Duam përgjigje, sikur të mund të kthehesha prapa në kohë nuk do të lejoja që ajo të bënte operacionin”.

“Ne po ju themi sesi qëndron çeshtja,” thotë babai i fëmijës së ndjerë, duke paralajmëruar prindër të fëmijëve të tjerë të bëjnë kujdes nëse i kërkojnë të kryejnë një operacion për ‘scoliosis’. “Nëse fëmija juaj shkon për operacionin, diskutoni gjatë me konsulentët për pasojat dhe rreziqet. Stafi i spitalit na ndihmuan me të gjitha mundësitë por besimi ynë është thyer”, shtoi ai.

Rasti i Dollceanna dhe 18 fëmijëve të tjerë është ende nën hetim nga zyrtarët.

FOTO GALERI
2/3
Rasti i Dollceanna dhe 18 fëmijëve të tjerë është ende nën hetim nga zyrtarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA