Një tërmet i magnitudës 4.9 tronditi sot Firencen në Itali.

Mediat vendase shkruajnë se tërmeti ra në orën 5 të mëngjesit, kur njerëzit ishin në gjumë. Mbrojtja Civile bëri të ditur se nuk ka pasur dëme materiale apo në njerëz, megjithatë qindra persona kanë dalë në rrugë të tmerruar. Lëkundjet e tokës janë ndjerë në Toskanë dhe rajonet fqinje, duke përfshirë Emilia-Romagna dhe le Marche, rajoni që vuajti pasojat më të mëdha nga tre tërmetet e tmerrshme të gushtit dhe tetorit 2016 në rajonet qendrore të Italisë.

Pas luhatjeve të sotme të tokës, autoritetet në Marradi të Firences, ku ishte dhe epiqendra, vendosën të mos rrezikonin por urdhëruan mbylljen e shkollave si masë paraprake.

“Tërmeti frikësoi popullatën, njerëzit dolën nëpër rrugë, nuk është diçka për t`u marrë lehtë. Qendra operacionale e komunës u aktivizua. Për momentin, Dhoma e Mbrojtjes Civile e qytetit Metropolitane të Firences, e cila po monitoron situatën, aktualisht nuk ka marrë raporte të dëmtimit të pronave dhe njerëzve”, thuhet në deklaratën e lëshuar me këtë rast.

Dëme janë regjistruar ndërkohë në Tredozio (Forlì-Cesena), ku ka pasur një sërë strukturash të dëmtuara, përfshirë edhe vetë godiën e bashkisë, ndërsa po evakuohet një azil të moshuarish. Qyteti, që ishte përballur sakaq me një valë përmbytjesh, pret ditë të vështira.

“Goditja u ndje shumë fort”, tha kryebashkiaku i Cesena Enzo Lattuca. Qarkullimi i trenave mes Bonjes e Firences është ndërprerë ndërkohë, për verifikime teknike, ndërsa paralajmërohen vonesa e anulime të mundshme udhëtimesh për trenat rajonalë.

Top Channel