Mbrëmjen e djeshme emisioni “Fiks Fare” ka denoncuar për të disatën herë, qendrat e masazheve të cilat janë kthyer në fole prostitucioni, ku vajzat kamuflohen si masazhatore, por që ofrojnë seks kundrejt pagesës.
Vëzhgimi i “Fiksit” u shtri në 5 qendra masazhi që nga Komuna e Parisit në Astir e kudo nëpër Tiranë. Shërbimi që ofronin këto qendra ishte po i njëjti; seks kundrejt parave.
Sot sipas njoftimit të policisë është bërë e mundur ndalimi i shtetases E.O 30 vjeç e cila është administratorja e një prej këtyre qendrave masazhesh. Gjithashtu në kërkim është shpallur një 36-vjeçar O.Rr i cili është pronari i qendrës së masazheve.
Sipas policisë, në lidhje me rastet e tjera të transmetuara, janë kryer veprimet procedurale për subjektet e përmendura, konkretisht:
-Më 10 janar janë arrestuar 2 punonjëse të një qendre masazhesh në rrugën “Teodor Keko”;
-Më 27 mars janë arrestuar 6 shtetas, administratori, 1 klient dhe 4 punonjëse, në një qendër masazhesh në rrugën “Teodor Keko”;
-Më datë 19 korrik është arrestuar 1 punonjëse e qendrës së masazheve dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 3 shtetase të tjera. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë qendër masazhesh, u bë ndalimi i shtetases E. O. dhe shpallja në kërkim e shtetasit O. Rr.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel