Albin Kurti zgjodhi rrjetet sociale për të sqaruar se çfarë diskutoi me të dërguarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak gjatë forumit të Bledit në Slloveni.
Kryeministri i Kosovës ka insistuar sërish për njohje reciproke. “Diskutuam mundësinë për takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes Themelore. Me procesin e ri-fokusuar të zgjerimit të BE-së, ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe njohje reciproke, de-jure dhe de-facto”, ka shkruar ai në platformën X, të njohur më parë si Twitter.
Lajçak ka pohuar po ashtu përgatitjet për një takim të nivelit të lartë në mes Kosovës dhe Serbisë gjatë muajit shtator. Qëllimi i takimit do të jetë normalizimi i marrëdhënieve si dhe zbatimi i deklaratës së 3 qershorit, ujdia mes Kosovës dhe Bashkimit Europian për hapat që Qeveria e Kosovës duhet t’i ndërmarrë për depërshkallëzimin e situatës në Veri, sqaroi zyrtari i lartë europian.
Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja ka vendosur disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat janë ende në fuqi. Sa i përket situatës në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, Kurti, sipas një njoftimi të zyrës së tij, insiston se situata tashmë është shtensionuar dhe ajo “nuk duhet të përshkallëzohet sërish”.
“Kosova tashmë është duke punuar në legjislacionin dytësor për zgjedhjet e hershme të cilave duhet t’iu prijë një kampanjë e hapur, pa frikësime dhe shantazhe e pasuar me zgjedhje të lira e demokratike”, është shprehur ai.
Top Channel