Një 29-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim nga Italia, ka rënë në prangat e policisë së Vlorës.

Gjatë operacionit policor të koduar “Red Fox”, u zhvillua nga shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, u vu në pranga 29-vjeçari i akuzuar për vrasje me armë zjarri.

“Shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Vlorë, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, mbi vendndodhjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të kërkuar nga Italia, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Red Fox”. Në kuadër të këtij operacioni, në lagjen “Uji i ftohtë”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar automjetin me të cilin qarkullonte shtetasi  H. M. (M.). Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe si rezultat i veprimeve profesionale, është neutralizuar dhe vënë në pranga shtetasi H. M. (M.), 29 vjeç, banues në Vlorë”, sipas policisë.

Nga verifikimet e kryera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, rezultoi se ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Torinos i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

29-vjeçari, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë, në tetor të vitit 2017, ka vrarë me armë zjarri Sh. F.

Aktualisht, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.

Top Channel