Arrestohen 4 shqiptarë në Spanjë për kultivim kanabisi, sekuestrohen 220 kg marijuanë me vlerë 413 mijë euro

26/10/2026 22:52

Katër shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë së Spanjës pasi akuzohen për kultivim kanabisi. Plantacioni i kanabisit u zbulua nga Garda Civile në një pyll në zonën e Hoya de Huesca-s.

Sipas mediave spanjolle, operacioni është zhvilluar më 17 tetor. Shqiptarët janë të moshave 36-50 vjeç dhe banonin në Barcelonë.

Bëhet e ditur se, agjentët konstatuan 72 bimë kanabis sativa që kishin lulëzuar, ndërsa në plantacion u gjetën edhe gjurmë që tregonin se më parë ishin korrur rreth 1.000 bimë.

Gjithashtu, në afërsi u zbulua një ambient i madh për tharjen e marijuanës, një tendë kampingu ku qëndronin të arrestuarit dhe një tjetër me depozita për ujitje, plehra dhe fertilizues të tretshëm në ujë, të përdorur për të nxitur rritjen e bimëve.

U gjetën gjithashtu pajisje për përpunimin, makineri për heqjen e kërcellit dhe degëzave, ventilatorë, një ngrohës industrial me ajër të nxehtë dhe një gjenerator për furnizimin me energji.

Veç bimëve, u sekuestruan 220 kilogramë sytha marijuane, vlera e të cilave në treg arrin afërsisht 413.000 euro.

Top Channel