Policia Kufitare ka bllokuar 32 mjete lundruese nga Ksamili në Velipojë.

Mjetet e bllokuara janë 16 Jet Ski, gjashtë gomone, tetë skafe dhe dy mjete lundruese turistike.

20 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë, 9 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin dhe 3 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë.

Shkeljet e konstatuara janë lundrim/bregëzim jashtë zonës së përcaktuar duke rrezikuar jetën e plazhistëve, ushtrim i aktivitetit të turizmit detar në kundërshtim me ligjin, mosregjistrim i mjetit lundrues brenda afatit të përcaktuar dhe mungesë dokumentacioni.

Krahas bllokimit të mjeteve lundruese, drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative që variojnë nga 10 000 deri në 100 000 lekë të rinj.

Dy mjete lundruese turistike, 13 Jet Ski, 4 gomone dhe 3 skafe, u bllokuan në Ksamil, Dhërmi, Triport dhe Durrës.

Krahas masës së bllokimit, pronarët e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili, me masa administrative nga 20 000 deri në 100 000 lekë, pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e plazhistëve. Ndërkaq, 2 mjetet lundruese turistike u konstatuan teksa e ushtronin aktivitetin, në kundërshtim me ligjin.

10 mjete të tjera lundruese, nga të cilat 3 Jet Ski, 5 skafe dhe 2 gomone, u bllokuan, dhe secili nga pronarët e këtyre mjeteve lundruese, u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë, për mungesë dokumentacioni.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të vijojnë të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë.

Top Channel