Prokurori i posacëm Jack Smith ka kërkuar që gjyqi ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump mbi akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 të nisë në Uashington më dy janar.
Nëse kërkesa e Smithit dhe ekipit të tij do të pranohet nga gjykata, kjo do të thotë se procesi gjyqësor kundër Trumpit do të fillojë disa ditë përpara përvjetorit të sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar 2021, dhe njëkohësisht dy javë para se të hidhen votat e para për garat brenda partisë për kandidatin republikan për president, në të cilat aktualisht ai është në krye.
Ndihmësit e ish kreut të Shtëpisë së Bardhë insistojnë se Trumpi është i pafajshëm për akuzat e reja në rastin e padisë për mbajtjen në mënyrë të paligjshme të dokumenteve sekrete në shtëpinë zotit Trump në Mar-a-Lago. Ndërkohë, menaxherit të pronës së tij në Mar-a-Lago iu shty gjykimi për shkak se ai ende nuk ka siguruar një avokat mbrojtës në Florida. Shtyrja e gjykimit të rastit të Carlos De Oliveira për shkak se ai nuk arriti të siguronte një avokat mbrojtës në Florida është vonesa më e fundit në çështjen e dokumenteve sekrete, procesi gjyqësor i së cilës është planifikuar të fillojë në maj.
Avokatët e zotit Trump tashmë kanë thënë se do të kërkojnë që të shtyhet fillimi i procesit gjyqësor të planifikuar në maj të vitit të ardhshëm. Në aktakuzën e përditësuar të prokurorit të posaçëm Jack Smith në fund të muajit të kaluar, Nauta dhe De Oliveira akuzohen për komplot me ish-presidentin republikan në përpjekjet për të fshirë videot e kamerave të sigurisë në Mar-a-Lago, të kërkuara nga hetuesit.
Ata u përballen me akuza, duke përfshirë konspiracion për të penguar drejtësinë në rastin që lidhet me dokumentet sekrete të qeverisë të gjetura në pronën e zotit Trump në Palm Beach pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë në 2021.
Top Channel