Landfilli i Sharrës është marr në menaxhim nga shteti. Sekuestrimi i dy kompanive për inceneratorin e Tiranës me vendimin e SPAK-ut, ka sjell si rrjedhojë nevojën për caktimin e një administratori të ri.

Arjan Baçi, drejtuesi i Agjencisë së administrimit të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara do të jetë edhe përgjegjësi për impiantin e mbetjeve të Tiranës.

“Ka një vendim të Gjykatës kundër korrupsionit për sekuestron preventive të shoqërisë së menaxhon mbetjet në landfillin e Sharrës. Kjo gjykatë ka vendosur që për menaxhimin e kësaj shoqërie të merret Agjencia e Administrimit të Pasurive të Konfiskuara që është në varësi të Ministrisë së Brendshme”, tha Baçi.

Shqetësim për administratorin e ri mbeten detyrimet e pashlyera nga bashkitë e qarkut Tiranë. Bazuar në kontratë, njësitë vendore duhet të paguajnë 29 euro për rreth 1 ton mbetje, teksa Tirana gjeneron rreth 700 tonë mbetje në ditë.

“Një problematikë që pamë është që bashkitë e qarkut të Tiranës janë ende debitorë në shoqëri, po bëhet muaji i tretë që nuk kanë shlyer detyrimet. I kemi dërguar shkresat për ti vënë para përgjegjësisë për ti kërkuar zbatimin e ligjit. Mos zbatimi do të sillte kaos në mbledhjen e mbetjeve urbane”, theksoi ai.

Vendimi për sekuestrimin ndaj kompanisë Integrated Energy u dha nga Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit më 28 korrik, e zbatimi i vendimmarrjes nisi që prej 1 gushtit.

Top Channel