Policia nuk arriti të parandalonte sulmin e nisur ndaj tifozëve të AEK-ut që çoi në vdekjen e Michalis Katsouris, duke demonstruar paaftësi të hapur operacionale.
Autoritetet greke u kritikuan për gabime operacionale pasi policia ishte informuar me kohë për lëvizjet e huliganëve kroatë përpara ndeshjes kualifikuese të Ligës së Kampionëve mes AEK të Athinës dhe Dinamos së Zagrebit që do zhvillohej të martën. Përplasjet fatale e detyruan UEFA-n të shtyjë ndeshjen kualifikuese të Champions League, pasi një tifoz 29-vjeçar grek u godit për vdekje me thikë në përleshjet gjatë natës midis mbështetësve rivalë në kryeqytetin grek.
Një raport i Drejtorise së Luftës ndaj Dhunës Sportive i dërguar 24 orë përpara ngjarjeve dramatike që u zhvilluan jashtë stadiumit e paralajmëronte rrezikun.
Dokumenti prej 27 faqesh detajonte ardhjen e afërt të huliganëve kroatë. Në ekstraktin e raportit të siguruar nga gazeta Kathimerini thoshte se “konsiderohet e mundshme që disa prej tyre të mbërrijnë në qytetin e Athinës, me fluturime të ndryshme në grupe të vogla, për të mos tërhequr vëmendjen. Megjithatë, për të shmangur çdo kontroll policor, disa pritet të udhëtojnë drejt Athinës me furgona dhe automjete përmes Malit të Zi dhe Shqipërisë”, thuhet në raport.
Sipas të njëjtit raport, zyrtarë policorë nga Drejtoria për Luftimin e Dhunës Sportive vunë në dukje se huliganët e Dinamos së Zagrebit përleshen me tifozët e ekipit rival duke përdorur “shkopinj të improvizuar, flakë zjarri dhe çdo objekt tjetër të përshtatshëm për sulm“.
Raportimet për praninë e afërt të “Bad Blue Boys” (siç njihen tifozët fanatikë të Dinamos së Zagrebit) në Greqi u pasqyruan edhe në buletinet informative të lëshuara nga Drejtoria për Luftimin e Dhunës Sportive.
Raporti thoshte se kroatët do të mirëpriteshin nga tifozët e Panathinaikos-it, me të cilët janë binjakëzuar, dhe disa do të qëndronin gjatë natës në klubin e tifozëve të ekipit në Alexandras Avenue.
Dy buletinet informative të radhës, janë hartuar të hënën dhe i janë dërguar Policisë Helenike (ELAS) dhe agjencive përkatëse. I pari raportoi se tifozët e organizuar të AEK-ut ishin informuar për ardhjen e afërt të tifozëve të Dinamos, gjë që “krijoi bujë në radhët e tyre”.
I dyti deklaroi se tifozët e AEK-ut ishin thirrur për një takim në Agia Sophia Stadium, në orën 19:00 të së hënës “me pretekstin e shpërndarjes së biletave të sezonit”.
Policia kroate dhe malazeze thuhet se kishin informuar ELAS-in për lëvizjet e “Bad Blue Boys”.
Paraditen e së hënës, Interpoli i Malit të Zi alarmoi Shqipërinë dhe Greqinë për lëvizjen e 100-120 huliganëve të rrezikshëm me listën e targave ta makinave të tyre. Megjithatë, reagimi i Shtabit të Policisë Helenike është cilësuar si joadekuat, ku burime policore thonë se në pikën kufitare të Kakavisë janë kontrolluar vetëm dy automjete me targa kroate.
Ajo që është e sigurt është se një kolonë prej rreth 80 kroatësh udhëtoi në autostradën Ionia Odos dhe vazhdoi përgjatë autostradës kombëtare Athinë-Patra përpara se të dallohej nga një civil që informoi policinë.
Në kohën kur arriti në Attiki Odos, gjurmët e tyre u zhdukën përsëri. Huliganët më në fund u zbuluan nga policia në stacionet e trenit Irini dhe Perissos në Athinë, ku u zhvendosën në këmbë drejt stadiumit. Jashtë stadiumit nuk kishte skuadra policie. Forcat e vetme që arritën në vendngjarje ishin oficerët e njësisë së reagimit të shpejtë DRASI dhe një njësie OPKE për parandalimin e krimit. Forcat e tjera mbërritën rreth 30 minuta pas fillimit të përleshjeve.
Top Channel