Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat ligjore për të mundësuar shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore nga detyre përmes peticionit.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka emëruar komisionin prej 11 anëtarëve që deri më 1 shtator të hartojë Udhëzimin Administrativ që i qartëson procedurat që duhet ndjekur dhe afatet kohore.
Megjithatë, deri te shpallja e zgjedhjeve përmes nënshkrimeve të qytetarëve duhet të pritet të paktën deri në nëntor.
Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Demokraci shprehet se procedurat edhe nga MAPL dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë çështje javësh dhe afati deri më 1 shtator është i tepruar.
Ndërkohë që Bashkimi Evropian favorizon dorëheqjen e kryetarëve në mënyrë që zgjedhjet në veri të shpallen sa më shpejt, Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi thotë se kryetarëve nuk do u kërkohet kjo e se ata do largohen me peticion.
Pas bazës ligjore, KQZ duhet të hartojë rregullore për mbledhjen e nënshkrimeve, verifikimin e tyre dhe organizimin e votimit ku më shumë se gjysma e qytetarëve të një komune duhet të përgjigjen në pyetjen nëse duan të shkarkojnë kryetarin. Nëse përgjigja është pozitive, atëherë kryetarët shkarkohen dhe shkohet në zgjedhje. Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se është i gatshëm të organizojë përsëri zgjedhje në Zvecan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut.
Top Channel