Foto ilustruese

Katër persona janë arrestuar pasi policia u zbuloi skemën e tyre, ku trafikonin nga Maqedonia e Veriut makina të vjedhura dhe i shisnin si pjesë këmbimi në Shqipëri.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuar 21-vjeçari A. R., banues në fshatin Rrajcë, Librazhd, 44-vjeçari A. A., banues në Strugë, Maqedoni e Veriut, 19-vjeçari L. D., dhe 23-vjeçari M. H., banues në fshatin Radokal, Pogradec.

Sipas policisë katër bashkëpunëtorët trafikonin mjete motorike nga Maqedonia e Veriut, i  dislokonin ato në zonën e Strugës dhe më pas nëpërmjet kufirit të gjelbër, në zonën e fshatrave Rrajcë-Sutaj, i kalonin në territorin shqiptar dhe i çmontonin në qytetet e Elbasanit ose Tiranës, me qëllim shitjen e tyre si pjesë këmbimi.

Konkretisht, më datë 22 të këtij muaji, këta persona dyshohet se kanë trafikuar  një automjet tip “Benz”, drejtuesi i të cilit shtetasi A. R., sapo ka konstatuar se ishte në ndjekje nga forcat e Policisë, ka tentuar të largohet dhe ka braktisur automjetin në afërsi të fshatit Radokal, Pogradec.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të mjeteve motorike, pas një hetimi 1-javor, në drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Passing””, thuhet në njoftimin e policisë.

Vijojnë hetimet për të kryer dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjesisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel