Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: Vatra aktive në fshatrat Peshtan, Kreshpan, Çeprat, Kus, Buz dhe Skrevan

25/07/2023 21:26

Disa vatra zjarri janë aktive në vendin tonë, ndërsa në Peshtan të Fierit dhe në fshatin Buz të Memaliajt situata është më e vështirë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Forcat e Armatosura dhe helikopteri Cougar, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile janë angazhuar gjatë ditës së sotme në aksionin e shuarjes së vatrave të zjarrit në Peshtan, Qafa e Shkozës dhe fshatin Kreshpan në njësinë administrative Cakran, të bashkisë Fier.

Efektivë të Forcave të Armatosura dhe 7 mjete u angazhuan krah forcave zjarrfikëse të bashkisë Vlorë për shuarjen e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane. Aktualisht nuk ka flakë, por vijon të ketë tym për shkak të djegieve të brendshme, pa probleme për qytetin.

Po punohet ndërkohë në disa zona të tjera të vendit në fshatin Çeprat, njësia administrative Shushicë, ku era e fortë favorizon përhapjen e flakëve. Në fshatin Kus pranë Liqenit të Thatë në Tiranë po punohet me 20 forca e 4 mjete për izolimin total të flakëve.

Situatë problematike ka edhe në fshatin Buz të bashkisë Memaliaj, ku era vështirëson punën. 13 efektivë dhe një mjet janë angazhuar në shuarjen e zjarrit në fshatin Skrevan në bashkinë Dimal, vatër e cila u riaktivizua.

FOTO GALERI
7/15

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA