Një bloger i shquar ushtarak rus dhe njëherazi ish-zyrtar në të ashtuquajturën Republika Popullore e Donetskut në Ukrainë është arrestuar në Moskë, pasi akuzohet për “ekstremizëm”.
Igor Girkin, i njohur gjithashtu me emrin e luftëtarit Igor Strelkov, thuhet se u mor nga banesa e tij nga zyrtarët rusë të sigurisë të premten në mëngjes.
“Sot, rreth orës 11:30, përfaqësuesit e Komitetit Hetues erdhën në shtëpinë tonë. Nuk isha në shtëpi në atë kohë. Së shpejti, sipas portierit, ata e morën burrin tim nën krahë dhe e çuan në një drejtim të panjohur”- shkruhej në një deklaratë të postuar nga gruaja e Girkin, Miroslava Reginskaya, në Telegramin e blogerit.
Bashkëshortja e ish-zyrtarit të Republikës së Donetskut tha se kjo kupton që Girkin po akuzohet për “ekstremizëm”.
“Nuk di asgjë për vendndodhjen e bashkëshortit tim dhe ai nuk më ka kontaktuar”, thuhej në deklaratën e saj. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS tha se Reginskaya i informoi ata për akuzën për ekstremizëm dhe se agjencitë e zbatimit të ligjit konfirmuan ndalimin e Girkin.
Girkin është një ish-kolonel në Shërbimin Federal të Sigurisë të Rusisë dhe shërbeu si ministër i mbrojtjes në të ashtuquajturën Republika Popullore e Donetskut në Ukrainën lindore.
Ishte gjatë kohës së tij në DPR që ai kontribuoi në rrëzimin e fluturimit 17 të “Malaysia Airlines” mbi Ukrainën lindore në vitin 2014, zbuloi një gjykatë holandeze. Të gjithë 298 personat në bord u vranë. Gjykata vitin e kaluar e shpalli Girkinin fajtor për vrasje masive për rolin e tij në rrëzimin e MH17 dhe ai u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm.
Sipas gjykatës, Girkin mori pjesë në konfliktet në Çeçeni, Transnistria dhe Bosnje.
Top Channel