“Shkoni në plazh”/ Emigrantëve u bllokohet makina, pas ndërhyrjes së Fiks Fare ua zgjidhin për 2 orë!

13/07/2023 20:54

Një familje shqiptare erdhi në atdhe pas 12 vitesh. Burrë e grua, bashkë me dy fëmijët, udhëtuan në datë 4 korrik 2023 për në Portin e Vlorës me traget nga Brindisi, Itali.

Kur erdhën, policia shqiptare iu tha se automjeti i tyre rezultonte i humbur në Itali. Familja e kishte blerë te koncesionari në Itali, me kredi në bankë. Brenda 1 ore, familja Bani mori letrat nga Italia se makina ishte hequr nga sistemi “alert” te Interpoli.

Por, këtu filluan sorollatjet pasi për 8 ditë me radhë ata kanë takuar dhe marrë në telefon dhjetëra persona, asnjë prej të cilëve nuk u ka dhënë zgjidhje.

Fiksi shkoi në Vlorë dhe kontaktoi me radhë me policët e portit, me opgj të Policisë Kufitare, në Prokurori apo edhe në Drejtorinë e Policisë Vlorë. Të gjithë ia kalonin “topin” njëri-tjetrit, por në fund, vetëm 2 orë pas interesimit, Policia Kufitare verifikoi sërish në sistem se “makina është hequr nga sistemi alert”.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua znj. Xhuljana Bani dhe bashkëshorti i saj Shpëtim Bani.

“Kemi ardhur nga Italia në datë 4 korrik 2023, pas gati 12 vite pa ardhur. Sapo hymë në Portin e Vlorës na sekuestruan makinën ‘Renault Captur’ sepse sipas Interpolit makina figuronte e vjedhur. Makinën e kemi blerë te koncesioneri në Itali, po e paguajmë me kredi nëpërmjet llogarisë bankare dhe është me siguracion italian. Në datën 3 korrik 2023 ne kemi kaluar në Portin e Brindisit në Itali pa asnjë problem edhe pse dokumentet e makinës i futën në sistem” tha Xhuljana. Më tej pohon se në Vlorë iu thanë se makina është e denoncuar si e humbur në Itali dhe del në sistem “alert”. “Qëndruam nga ora 09.00 deri në orën 13.00 në diell në Portin e Vlorës, më pas ikëm dhe morëm makinë me qira. Makinën na e sekuestruan. Atë ditë, kemi marrë koncesionarin në Itali, i cili na tha se Prokuroria Italiane e ka hequr nga sistemi. E kërkuam makinën, po na thanë se do e verifikojë Interpoli” pohon ajo. Familja ka pritur nga data 4 korrik, ku kanë marrë në telefon një OPGJ, jo e ka Kufiri, jo Drejtoria e Policisë, Prokuroria, etj.

“Atyre italianëve iu deshën 1 orë ta hiqnin nga sistemi. Këta kanë 8 ditë dhe asnjë gjë s’kanë bërë. Me këto që na bëjnë, s’do vijmë më në Shqipëri. Mjaftonin ta verifikonin sërish dhe makina është në rregull. Po na sorollasin” pohon familja Bani, teksa ka edhe një audio nga koncesionari në Itali. “Kam shkuar edhe atje ku është bërë denoncimi, në Komisariatin e Napolit. Më thanë se nëse tani e kontrolloni, kërkojnë ndjesë për shqetësimin, pasi edhe atyre iu rezultonte kjo anomali. Nëse tani bëjnë një kontroll mund të shikojnë që tani në terminalet e tyre (sistemet shqiptare të Interpolit), makina rezulton e lirë. Bëjeni këtë kontroll dhe më lajmëroni të lutem!” ishte audio e punonjësit të koncesionarit në Itali.

Pas pretendimeve, Xhuljana dhe Shpëtim Bani shkuan te Policia Kufitare e Vlorës, ku fillimisht takuan oficerin që ua sekuestroi, i cili u tha se “s’ju jap informacion, po verifikohet”. “S’ka asnjë mënyrë tjetër, do t’ju marr unë në celular, do t’ju njoftoj kur të shkoni te prokuroria. S’ke pse shkon tani, kur s’ka ardhur. Deri atëherë në datë 20, në mendimin tim, ka shpresë se do mbarojë çdo gjë! Sot ikni në plazh!” i thotë oficeri, teksa bashkëshorti i Xhuljanës i thotë se çfarë plazhi “ajo s’është shëruar nga shtylla kurrizore, e kupton”. Më pas, çifti shkon në Prokurorinë e Vlorës, takon disa punonjës. Por, asnjë prej tyre nuk i jep informacion, pasi sërish duhet të shkojnë te Komisariati për të marrë numrin e protokollit.

Pra, pas 8 ditësh familja vetëm sorollatet. Dhe pas këtyre përgjigjeve, gazetarët e Fiks Fare filluan të interesoheshin për këtë problematikë. Telefonata e parë e Fiks Fare u bë në datën 11 korrik 2023, në orën 12.30, me z. Klodi Jashari, oficer i Policisë në Drejtorinë e Policisë Kufitare në Vlorë. “Do interesohem dhe do të të kthejë përgjigje” tha ai. Në orën 12.46, telefonohet sërish oficeri dhe jep këtë përgjigje; “Në lidhje me rastin janë bërë veprimet proceduriale dhe materialet i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për trafikim i mjeteve motorike që ka dhënë alert në Interpol. Ndërkohë i kemi bërë përsëri e-mail Interpolit për t’na e konfirmuar këtë gjë. Dhe deri më tani s’na ka ardhur përgjigje. Në momentin e parë që do t’na vijë përgjigja për këtë mjet ne do t’ia vëmë në dispozicion prokurorisë e cila do të ndërmarrë veprimet e mëtejshme”.

Pyetjes se kur i janë dërguar materialet, pohon se “të nesërmen e asaj dite”, ndërsa shton se “deri në këto momente akoma s’na ka kthyer përgjigje Interpoli”.  “Në momentin e parë që do t’na kthejë përgjigje në lidhje me gjendjen e mjetit, këtë përgjigje do t’ia vëmë në dispozicion sërish prokurorisë. Mjeti është sekuestruar dhe është çuar në prokurori dhe prokuroria më pas bën zhbllokimin e mjetit” tha oficeri. Fiksi u interesua në Prokurorinë e Vlorës, pas dërgimit të numrit të protokollit nga oficeri i Kufirit. Kësaj herë, punonjësit e prokurorisë na bëjnë me dije se materialet kanë ardhur dhe prokurorja që po merret me rastin është znj. Ajkuna Anxhaku. Ndërkohë, rasti po verifikohej nga një tjetër oficere, e Drejtorisë së Policisë së Vlorës, Erjona Hyseni.

Në orën 13.42 minuta gazetarët telefonojnë OPGj-në e Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, Erjona Hyseni. “Po është sekuestruar nga ana e Kufirit, se ne nga data 4 korrik e këtij viti ne s’bëjmë asnjë procedurë për veprat penale që ndodhin në kufi! Në momentin që 1 automjet, në sistemin Interpol rezulton pozitiv, Oficeri i Policisë është i detyruar të sekuestrojë mjetin dhe të referojë materialet në prokurori. E para, e dyta! Është e vërtetë që shpeshherë në Itali, qendron, qëllon që hiqet mjeti nga kërkimi i brendshëm dhe qytetarët s’i njoftojnë që në Interpol vazhdojnë dhe qendrojnë pozitiv. Shteti Italian dhe të gjithë shtetet e Bashkimit Europian i heqin nga qarkullimi i brendshëm në kërkim dhe vazhdojnë dhe qarkullojnë mjetet në Interpol sot e kësaj dite” thotë ajo, teksa shton se “problemi është që nga data 1 korrik ka ndryshuar struktura e Policisë së Shtetit dhe veprat penale që ndodhin në kufi, drejtohen nga Kufiri dhe jo nga Drejtoria e Policisë, Vlorë”.

Ndërkohë, gazetarët kontaktojnë sërish me oficerin e Kufirit se kush duhet t’i hetojë këto vepra dhe pse po zvarriten këta qytetarët. Në orën 14.30, plot 2 orë pas interesimit të parë, oficeri Klodi Jashari na njofton se; “Ne i kemi bërë (e-mail) Interpolit, në lidhje me gjendjen e mjetit dhe tani para 5 minutash ka ardhur përgjigjja që mjeti s’është më pozitiv në Interpol! Unë po i printoj e-mailet, po bëj shkresat dhe po i nis dorazi te Prokuroria. Do t’ia vë në dispozicion prokurorisë dhe ata pastaj e ka prokuroria në dorë. Unë po printoj e-mailet dhe po ia çoj prokurorisë sot dorazi”.

U desh interesimit i Fiksit që këta oficerë policie të viheshin në lëvizje. Brenda 2 orësh ata morën konfirmimin se makina s’është në kërkim dhe i dërguan materialet në prokurori. Makina ende nuk është marrë nga familja Bani, pasi prokurorja e çështjes është me leje.

***

Porti Vlorë

Oficeri i Policisë – Domethënë ju prisni një përgjigje nga Interpoli?!

Denoncuesja – Ju thashë se po mundoheni përditë, do ju marr unë në celular.

Denoncuesi – Makina në sistem është hequr, rezulton më … ?

Oficeri i Policisë – Nuk, tani mos ma kërko më …

Denoncuesja – Se na thanë kështu ata neve, ça prokurori ata merren. Unë vajta edhe dje po nuk pate një emër prokurori si t’ia bëj?

Oficeri i Policisë – Ata normalisht duhet ta dinë emrin.

Denoncuesja – Atje më thanë se ke 20 prokurorë, se makina s’ka asnjë lloj problemi tani. Se me the që të enjten, hajde merre makinën. Po më thuaj ku të drejtohem, a ka një mënyrë tjetër?

Oficeri i Policisë – S’ka asnjë mënyrë tjetër, do t’ju marr unë në celular do t’ju njoftoj kur të shkoni te prokuroria.

Denoncuesja – Unë vete edhe në prokurori tani po ku të vete?!

Oficeri i Policisë – Po s’ke pse shkon tani, kur s’ka ardhur …

Denoncuesja – Atëherë, kur ata (italianët) që të mërkurën në mëngjes më prunë OK mua, e sekuestruar brenda ditës si ka mundësi që duhet 1 javë për ta marrë makinën edhe njëherë!

Denoncuesi – Interpoli e ka sjellë direkt në këtë moment po të shikoni në zyrat përkatëse dhe aty makina është e pastër.

Oficeri i Policisë – E marr vesh.

Denoncuesi – Rezulton e pastër!

Denoncuesja – Ne vemë kot në prokurori.

Oficeri i Policisë – Ju thashë, do t’ju marr në celular!

Denoncuesja – Atëherë, unë e kam me ngut se në datën 20 (korrik) duhet të jem andej se duhet të fillojë kurat edhe njëherë.

Oficeri i Policisë – Deri atëherë në datë 20, në mendimin tim, ka shpresë se do mbarojë çdo gjë! Sot ikni në plazh!

Denoncuesi – Për plazh?! Ajo s’është shëruar nga shtylla kurrizore, e kupton.

Denoncuesja – Ky sistem si ka mundësi që s’ju vjen ju direkt.

Denoncuesi – Nuk funksionon këtu njëherë.

Oficeri i Policisë – Nuk e di, nuk mund të jap shpjegime!

***

Prokuroria e Vlorës

Punonjësi – Emrin?

Denoncuesja – Urdhëro, këtu janë të gjitha të dhënat.

Punonjësi – Makina është në emër të Xhuljanës?

Denoncuesja – Xhuljana Bani.

Punonjësi – Bani?

Denoncuesja – Po.

Punonjësi – Pse ua kanë sekuestruar, kot?

Denoncuesja – Dilte në sistem e vjedhur. E kemi blerë në Itali. Është vjedhur para se ne ta blinim është gjetur dhe është hequr dhe denoncimi.

Shkojnë në një zyrë tjetër

Punonjësi – Xhuljana Bani ka ardhur ndonjë kallëzim? Po s’ka ardhur gjë sqaroji (denoncuesit). Ja zonjës.

Verifikon kallëzimet dhe materialet …

Punonjësja – Nuk ka ardhur merr numrin e asaj, protokollit.

Denoncuesja – Ku duhet ta marr?

Punonjësja – Në Komisariat, me çfarë shkrese e kanë dërguar! Ja është një numër, ky numër më duhet mua dhe data. Kjo shkresa që ka ardhur kallëzimi ka një numër protokolli që unë e shikoj. Duhet numri ta verifikoj.

FOTO GALERI
7/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA