Gjykata e Strasburgut i dha pjesërisht të drejtë, Admir Thanzës, ish-gjyqtar kushtetues i shkarkuar nga procesi i Vettingut.
Duke vlerësuar se i ishte shkelur e drejta e një gjykimi të drejtë, Strasburgu shton se shteti shqiptar duhet t’i paguajë paditësit vlerën prej 3500 euro.
Në atë kohë gjatë procesit të Vetting-ut ish gjyqtari kushtetues kërkoi të njihej me informacionet e DSIK që e referonte me probleme të figurës, por këto dokumente u konsideruan sekrete. Brenda tre muajve Thanza ka afat t’i drejtohet Dhomës së Madhe për të kundërshtuar edhe shkarkimin që është vlerësuar proporcional.
Kjo konsideratë e Strasburgut, për dokumentet sekrete është trajtuar më herët edhe nga Gjykata e Posaçme në të dyja shkallët për rastin e Klemendt Çalës, i cili me firmë të ministrit të Drejtësisë u dërgua në regjimin e ashpër 41 biss. Por gjatë gjykimit, në të dyja shkallët u dha se shkresa duhej shfuqizuar pasi i dyshuari kishte të drejtë të njihej me informacionet për të respektuar gjykimin e drejtë.
Ish gjyqtari Thanza u penalizua edhe një një vendim i Italisë të vitit 1999, të cilin sipas prokurorisë nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
Për këtë çështje Thanza u gjet fajtor nga shkalla e parë dhe i pafajshëm nga Apeli se referuar një letër porosie të drejtësisë italiane ish gjyqtari nuk konsiderohet i dënuar përderisa burgimi ishte konvertuar në 100 mijë lireta gjobë. Thanza ishte një gjyqtar karriere në Shqipëri deri ditën kur Vetting-u i gjeti probleme me pasuritë, për të cilat kërkon gjykim të përshpejtuar në Gjykatën e Lartë.
Përpos verifikimeve që kryejnë institucionet e Vetting-ut, rezulton se nga nisja e këtij procesi janë regjistruar 6477 denoncime nga qytetarët kundër njerëzve të drejtësisë. Nga 805 gjyqtarë dhe prokurorë nën Vetting kanë mbetur ende pa u kontrolluar edhe 131.
Top Channel