Avokatët në mbledhje urgjente, Këshilli i Përgjithshëm mblidhet sërish pas dy ditësh
Pas rreth tre orësh e tridhjetë minutash përpjekje, zjarrfikësit kanë arritur të vënë nën kontroll dhe më pas të shuajnë flakët e zjarrit në fshatin Bunavi, në bashkinë Vlorë.
Siç raporton korrespondenti i Top Channel, Mikel Marsi, zjarri u shfaq rreth orës 14:00 dhe, i favorizuar nga era dhe bimësia e dendur, u përhap me shpejtësi, duke djegur dhjetëra rrënjë ullinj shekullorë, pemëtari dhe sipërfaqe me bar për bagëtinë.
Flakët rrezikuan seriozisht edhe disa banesa, ndërsa banorët iu bashkuan rreth 50 forcave zjarrfikëse dhe forcave të tjera në terren për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt shtëpive.
Sipas shefit te zjarrfikësve Luan Kapaj terreni i vështirë dhe bimësia e dendur e bënë ndërhyrjen të vështirë. Gjatë operacionit u mbajtën nën monitorim të vazhdueshëm banesat, ndërsa u dogjën edhe balla bari të destinuara për bagëtitë.
Dëmet më të mëdha raportohen te ullinjtë shekullorë. Pas rreth tre orësh e tridhjetë minutash, zjarri u vu nën kontroll, ndërsa vijon monitorimi i zonës për të shmangur riaktivizimin e flakëve.
Banorët tregojnë se situata ka qenë e vështirë dhe se kanë përjetuar momente frike, veçanërisht për shkak të rrezikut që flakët t’u afroheshin banesave.
Top Channel