Podkasti Flasim/ I ftuar i kryeministrit Rama ishte bashkëshorti i ambasadores suedeze

01/07/2023 12:26

Në episodin e 13-të të podcasit të tij kryeministri Edi Rama kishte të ftuar suedezin Kristoffer Leandoer të cilin e prezantoi kështu.

“Sot flasim me një personazh atipik. Atipik për faktin se është krejt i panjohur për ju, atipik për faktin se në Shqipëri është për shkak të gruas, atipik për faktin se jemi mësuar të flasim me ambasadorë, për ambasadorë, ndërkohë që personazhi që është këtu me mua burri i një ambasadoreje. Por arsyeja e ftesës nuk është kjo. Arsyeja e ftesës është se bashkëvuajtësi i ambasadorez suedeze, e cila e përfundoi misionin e saj në Shqipëri dhe tani së bashku me burrin po bëjnë gati valixhet, është shkrimtar, një njeri i kulturës, njohës i thellë i letrave”, thotë Rama.

Bashkëshorti ambasadores suedeze tregon se çfarë dinte për Shqipërisë kur ajo u caktua të përfaqësonte politikën ne jashtme suedeze në vendin tonë.

 “Nuk dija asgjë. Dija vetëm, për t’i qëndruar kësaj loje pingpongu me stereotipat… kisha këtë nocionin e vagullt se, dikur, Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Europës dhe se kishte ndryshuar, por nuk dija në ç ‘drejtim. Po kjo ka qenë jeta ime. Ky ishte vendi i tretë ku kam lëvizur pa qenë kurrë më parë apo pa pasur asnjë lidhje me të. Megjithatë, bëra atë që bëj kur ndodhin këto situata. Shkova në bibliotekën bashkiake të Stokholmit dhe mora gjithçka, gjithçka”, tha Kristoffer Leandoer.

I pyetur nga Edi Rama se çfarë do të marrë me vete në Suedi pas largimit nga Shqipëria Kristoffer tha.

“Ajo çfarë do të marr me vete, kur të kthehem në shtëpi është se gjërat më të mira të Shqipërisë janë absolutisht, pa asnjë hezitim, shqiptarët. Nuk ka pikë dyshimi. Malet janë fantastike, ushqimi është i shkëlqyer, vreshtat, deti, zogjtë e të tjera, po, për mua, janë shqiptarët. Shumë shpesh, kjo i befason shqiptarët. Ju jeni njerëz ngrohtë, njerëz që doni të argëtoheni, jeni të zgjuar, doni të argëtoheni dhe të rrish me ju është argëtuese. Është kaq e thjeshtë dhe për një njeri me ritëm të ngadaltë dhe jo me ritëm të shfrenuar, të jesh këtu është çliruese. Jemi argëtuar shumë”, tha Kristoffer Leandoer..

Por si është Shqipëria turistike në sytë e një suedezi?

“Përtej Malit të Dajtit ka male të tjera, sigurisht. Unë vij nga një vend me male të vjetra, që janë me maja të rrumbullakosura e gri. Shqipëria ndërkohë është në zhvillim e sipër. Gjeologjikisht, ju ende po merrni formë, ndaj gjithçka është kështu… Vetëm 20 minuta larg nga vendi ku jetojmë është shpella e Pëllumbasit. Kam qenë mbi 10-20 herë atje. Kemi bërë dy herë Thethin dhe Valbonën. Kam ngjitur dy herë Korabin. E gjithë pjesa e veriut është fantastike. Edhe deti, sigurisht, e dashuroj. Vendim im i veçantë është Himara. E dua Himarën dhe rrugën atje, Qafën e Llogarasë. Më pëlqen shumë të udhëtoj me makinë përmes Qafës së Llogarasë. Më jep drithërima”, tha ai. 

Edi Rama e pyeti të ftuarin suedez për Ismail Kadarenë i cili i ka qenë afër , çmimit Nobel në Letërsi,  për një kohë të gjatë, por nuk u realizua kurrë.

“E konsideroj Ismail Kadarenë mes atyre që e meritojnë. Po, pa asnjë dyshim. Ai është një autor tejet i rëndësishëm. Gjithashtu, fakti është, mendoj dhe është pak turp që kjo gjuhë ende nuk ka marrë çmimin “Nobel”. Mendoj që po të kisha qenë perëndi, perëndia e letërsisë, do të kisha zbritur nga reja ime ndoshta në vitet ’60, ’50 dhe do ia kisha dhënë Lasgush Poradecit. Po Kadare, pa asnjë dyshim, por nuk ndodhi kur duhej të ndodhte dhe nuk e di pse, pasi në atë kohë nuk kam qenë aty, por duhej të kishte ndodhur. Momenti logjik për t’i dhënë çmimin Kadaresë do të kishte qenë në vitin 1991, kur do të kishte pasur më shumë vlerë për të gjithë vendin dhe për zhvillimin e vendit që të ishte kthyer në vëmendjen e botës në atë mënyrë”, u shpreh Kristoffer Leandoer.

Top Channel